Gazeta Si - Pas rreth pesë orësh seancë dhe me një ndërprerje në mes për shkak të debateve në sallën e gjyqit dhe kërkesës së avokatëve për njohjen e dosjes, Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për ish-Presidentin Ilir Meta, si dhe “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi.
Meta dhe Kryemadhi akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për për "korrupsion", "pastrim parash" dhe "fshehje pasurie".
Për të njëjtën dosje, janë nën hetim edhe Pirro Xhixho e Ema Çoku, ndaj të cilëve gjykata vendosi masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Vetëm për Xhixhon ndryshoi masa e sigurisë, ku gjykata vendosi nga "arrest shtëpie" në "detyrim paraqitje".
Pas këtij vendimi të GJKKO-së, Meta pritet të transferohet nga qelitë e paraburgimit 302 te "Mine Peza", në burgun 313 të sigurisë së lartë po në kryeqytet.
Pasi gjykata la në fuqi masat e sigurisë “arrest me burg” për ish-Presidentin Ilir Meta dhe “detyrim paraqitje” për deputeten Monika Kryemadhi, kjo e fundit ka dhënë një prononcim për mediat.
Gjatë fjalës së saj, ajo ka treguar dhe bisedën që ka pasur me avokatin Gjokutaj, të cilit sipas saj i ka thënë se është “jo serioz” pasi duhet të kishte kërkuar “arrest me burg” për të dhe “detyrim paraqitje” për Ilir Metën.
Kryemadhi përsëriti edhe njëherë deklaratat e saj se akuzat e ngritura ndaj Ilir Metës nuk kanë asnjë lidhje.
Për të, nuk është gjetur asnjë provë e re në çështjen CEZ-DIA dhe për këtë arsye Meta është bashkuar nga SPAK me akuzat që janë ngritur ndaj saj.
Kryemadhi ironizoi dhe një deklaratë që sipas saj prokurorët e SPAK bënë, sikur ajo ka bashkëpunuar me Ilir Metën për pagimin e një operacioni.
Në fillim të seancës, kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta foli me tone të ashpra në sallën e gjyqit, ku përballë ka pasur kreun e SPAK-ut, Altin Dumani dhe prokurorët e çështjes, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja.
Mësohet se ish-presidenti ka debatuar dhe është ankuar për mënyrën e ekzekutimit të masës së sigurisë ndaj tij.
Kur SPAK vlerësoi si të ligjshëm dhe të rregullt arrestimin e Metës, situata është tensionuar nga ky i fundit. Ish-Presidenti i është drejtuar personalisht kreut të SPAK, Altin Dumani dhe prokurorit Arben Kraja me fjalët: "O Dum Duman, mbaje vath në vesh, mbaje mend".
Ndërsa prokurorit Arben Kraja, Meta i është drejtuar duke i thënë që ti që tani e ke nisur me mashtrime, "por gjithsesi unë jam tërhequr zvarrë nga strukturat e policisë. Mbajeni mend se çfarë do ju bëj", duke pretenduar se si një ish-President, duhej të kishte një tjetër sjellje dhe qasje ndaj tij.
Sipas të njëjtave burime, është dashur ndërhyrja e gjyqtarit Erjon Çela për të qetësuar situatën. Ndërkohë ka reaguar edhe avokati i Metës, Genc Gjokutaj, i cili ka sqaruar se reagimi i ish-presidentit vjen për mënyrën si u ekzekutua vendimi i gjykatës.
Ndërkohë kreu i SPAK, Altin Dumani nuk ka pasur asnjë lloj reagimi kundrejt retorikës së ashpër të Metës. Ai ka pritur që rregulli të vendoset nga gjykatësi.
Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua të hënën nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Për të njëjtat akuza, gjykata ka caktuar detyrim paraqitjeje edhe për ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi. Edhe ajo pritet të dalë sot para gjykatës për konfirmimin e masës së sigurisë.
Kryemadhi pas daljes nga ambientet e GJKKO-së, në një prononcim për mediat u shpreh se gjyqtarët i lanë vetëm 3 orë kohë për të parë të gjitha provat.
Deputetja tha se u provokua, pasi u vendos në të njëjtën sallë me Ilir Metën, ndërsa shtoi se komunikimi in masës së sigurisë është individuale dhe jo në grup.
“Na la vetëm tre orë kohë. Për tre orë ne duhet të shohim të gjitha provat. I kam kërkuar edhe gjyqtarit e prokurorit, qoftë Prokuroria apo Gjykata kanë shkelur kodin për nxjerrjen e sekretit hetimor. Dua të theksoj se kjo godina pas nuk është drejtësia e re, por departamenti i PR dhe propagandës së Edi Ramës. Sot kam kuptuar që veglat një përdorimshme të Ramës, që nga inceneratori i Tiranës, 5 D, që nga koncesionet që vjedhin çdo ditë paratë e shqiptarëve, sot i pamë të veshura në fytyrat e tyre. S’ka më asnjë shpresë për një sistem drejtësie të kapur, manipuluar dhe kriminalë.
Nuk flas fare për zotin Meta. Në mënyrë të qëllimshme na kanë futur në një sallë. Kjo shkelë rregullat. Asnjë nga nuk është i akuzuar, por jemi të dyshuar.”, tha Kryemadhi.
Gjykata vendosi për Piro Xhixhon "detyrim paraqitjeje", sikundër dhe për Monika Kryemadhin dhe Ema Çokun.
Ish-kreu i AKEP-it, mbërriti në Gjykatën e Posaçme për verifikimin e masës së sigurisë i shoqëruar nga një punonjës policie.
Babai i deputetes së Partisë së Lirirsë, Erisa Xhixhoi akuzohet për veprën penale “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.
Në dosjen prej 176 faqesh, Prokuroria e Posaçme thotë se për të pandehurit janë vërtetuar veprat penale korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie në disa raste.
Meta u arrestua të hënën në hyrje të Tiranës nga forcat operacionale, aksion i cili u shoqërua me debate për mënyrën se si u krye ekzekutimi i urdhrit të Gjykatës.
Partia e Lirisë dhe opozita pretendojnë se ai u rrëmbye dhe se prej dy ditësh kanë ngritur akuza në drejtim të mazhorancës dhe institucioneve të rendit.
Pjesë e kësaj dosje është edhe Monika Kryemadhi, Pirro Xhixho dhe Ema Çoku për të cilët gjykata ka dhënë masa më të lehta sigurie.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.