Drejtësia

ILD raporton në Kuvend, Metani: Gjyqet zgjasin përtej afateve të arsyeshme

Nga Gazeta ‘SI’ – Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, raportoi sot para Kuvendit për veprimtarinë e institucionit që drejton, gjatë vitin 2024.

Fillimisht ai solli disa të dhëna statistikore që përshkruajnë një pjesë të veprimtarisë së ILD-së gjatë vitit 2024.

“Gjatë vitit 2024, ILD kishte 2854 ankesa për trajtim. Nga këto, ka trajtuar 1374 ankesa. 54 prej tyre kanë përfunduar me hetim disiplinor. Gjatë vitit 2024, ka një dyfishim të kërkesave për procedim disiplinor, konkretisht, janë 11 magjistratë të proceduar, 6 gjyqtarë dhe 5 prokurorë, me masa që varjojnë nga shkarkimi nga detyra deri te vërejtja konfidenciale. Veç ankesave dhe procedimeve disiplinore, ILD ka kryer edhe 6 inspektime tematike, të cilat kanë përfunduar me 54 rekomandime, prej të cilave 9 lidhen me marrjen e masave për nxjerrje aktesh, 29 me ndërmarrjen e masave administrative dhe 15 rekomandime për Inspektorin e Lartë të Drejtësisë për procedura të mëtejshme verifikuese. Për të gjitha vendimmarrjet e trajtimit të ankesave nga ana e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë gjatë vitit që shkoi, ka pasur vetëm 89 ankime pranë KLP ose KLGJ, sipas rastit. Asnjë prej vendimeve të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë nuk është cenuar”,- tha Metani.

Më pas, Metani renditi në mënyrë të përmbledhur problematikat më të rënda të sistemit të drejtësisë. Fokusin e pati të stërzgjatja e kohës së gjykimit të çështjeve gjyqësore, problem që sipas Metanit ndikon në cilësinë e gjykimit dhe ul besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

“Arsyeja e parë që ka ndikuar në kohëzgjatjen e proceseve gjyqësore tej afateve të arsyeshme është ngarkesa e magjistratëve të kësaj gjykate. Për vitin 2023, ngarkesa mesatare e punës për një gjyqtar të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka qenë mesatarisht 1176 çështje për gjykim, ndërkohë që për gjyqtarët pranë gjykatave të të njëjtit nivel gjyqësor ka qenë 841.7 çështje për gjyqtar. Për vitin 2023, numri i gjyqtarëve në organikën e miratuar të kësaj gjykate është 80 gjyqtarë, ndërkohë që efektivisht kanë ushtruar detyrën gjatë vitit 2023, vetëm 43 gjyqtarë. Arsyeja e dytë janë vakancat e paplotësuara pranë kësaj gjykate. Nga ky inspektim rezultoi se organika e Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë (Dhoma Penale dhe Civile) për vitin 2023, rezulton e plotësuar në masën 54%, sa i takon kësaj trupe. Nga ana tjetër, në të gjitha ato raste ku ILD, në kuadër të verifikimit dhe hetimit disiplinor ka konstatuar se vonesat apo zvarritjet kanë tejkaluar çdo afat të arsyeshëm, duke demonstruar neglizhencë të magjistratit në përmbushje të detyrës, për shkaqe të palidhura me arsye jashtë kontrollit të magjistratit, ka paraqitur kërkesat për procedimin disiplinor pranë këshillave përkatës. Në total, gjatë veprimtarisë së vet, në rastet e vonesave dhe zvarritjeve në gjykim apo procedim, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka vendosur fillimin e hetimit disiplinor për 51 magjistratë dhe në përfundim të tyre janë paraqitur kërkesat për procedim disiplinor për 17 magjistratë, 8 gjyqtarë dhe 9 prokurorë”,- tha Metani.

Sipas Metanit, një tjetër problematikë me të cilën po ballafaqohen gjykatat sot është mënyra e zhvillimit të seancave gjyqësore në kushtet e mungesës së infrastrukturës së nevojshme për respektimin e kërkesave procedurale për zhvillimin e gjykimit me regjistrim audio.

“Nga përmbajtja e ankesave, verifikimeve dhe informacionet periodike që administrohen në ILD ka rezultuar, se infrastruktura aktuale nuk mundëson zhvillimin e të gjithë seancave gjyqësore sipas detyrimit ligjor me regjistrim audio, kjo në veçanti në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Këto mangësi së bashku me vakancat në sistem kanë ndikuar në cilësinë e kushteve të punës, duke ekspozuar trupën gjyqësore në mungesë të solemnitetit të zhvillimit të proceseve gjyqësore”,- tha Metani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë