Politike

ILD, keqardhje për deklaratat e Çuçit: Secili të mbajë përgjegjësitë e veta

Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi, që akuzoi edhe duke përmendur emra gjyqtarë dhe prokurorë për vendime që lirojnë, ose zbusin akuzat e dënimet për kriminelët e kapur nga Policia e Shtetit.

Përmes një deklarate të shkurtër, ILD shpreh keqardhjen për këto deklarata dhe i interpreton si përpjekje për t’i ikur përgjegjësisë.

“ILD konstaton me keqardhje se mosrespektimi i pavarësisë së magjistratëve në ushtrimin e detyrës së tyre, por edhe të institucioneve të pavarura të drejtësisë po kthehet në traditë, sa herë që publikisht kërkohet marrja e përgjegjësive”, thuhet në deklaratë.

ILD thotë se ka si prioritet shqyrtimin dhe vlerësimin me prioritet të të gjitha pretendimeve që ngrihen nga qytetarët, apo institucionet mbi pretendime të caktuara për vendimet e magjistratëve dhe konsideron tërthorazi deklaratat e Çuçit si ndërhyrje në sistemin e drejtësisë.

“Vendimet e magjistratëve nuk mund të bëhen objekt rishikimi apo diskutimi, nëpërmjet deklaratave publike jashtë sistemit të ankimit gjyqësor”, vijon deklarata.

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë shprehet se është e hapur për të pranuar nga çdo institucion ankesa në lidhje me sjelljen e magjistratëve.

“Në rast të konstatimit të sjelljeve të cilat përbëjnë përgjegjësi disiplinore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë për sa ka vepruar deri më tani, në rastet kur ka konstatuar sjellje apo akte të cilat përbëjnë shkelje disiplinore ka propozuar marrjen e masave të nevojshme disiplinore”, mbyllet reagimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë