Shkencë

Ilaçi trajtues i kancerit funksionon edhe për dhimbje kronike të tjera

Një ilaç i zhvilluar më shumë se 20 vjet më parë për të trajtuar kancerin mund të ndihmojë pacientët që jetojnë me dhimbje, sipas një studimi të ri.
“Kenpaullone” aktivizon një gjen që ul inflamacionin kronik, thonë shkencëtarët. Eksperimentet mbi minjtë dhe njerëzit zbuluan se ishte jashtëzakonisht i suksesshëm në zbutjen e dëmtimit nervor dhe simptomave të tumorit të kockave. Ekipi amerikan shpreson se provat klinike do të shohin rezultate po aq të suksesshme tek njerëzit që vuajnë nga një sërë sëmundjesh.
Autori kryesor Wolfgang Liedtke tha se ilaçet e reja dhe terapitë e tjera kundër dhimbjes kronike duhet të jenë të sigurta. Domethënë sa më pak efekte anësore aq më mirë.
“Është e rëndësishme që ato të mos shkaktojnë varësi, ndërkohë që janë efektive kundër dhimbjeve të lëndimeve nervore dhe dhimbjeve të kockave”, shtoi ai.
Liedtke ka praktikuar mjekësinë kundër dhimbjeve për 17 vitet e fundit në Universitetin Duke në Karolinën e Veriut dhe tani është drejtor ekzekutiv në “Regeneron Pharmaceuticals” në Nju Jork.
Në nivel global, rreth 1.5 miliardë njerëz vuajnë nga dhimbjet kronike.
Në mënyrë të ngjashme, ata me dëmtime kronike të nervave të shkaktuara nga diabeti, efektet anësore të ilaçeve ose herpes të rëndë kanë gjatë gjithë kohës dhimbje të mëdha. Liedtke dhe kolegët kërkuan trajtime më të mira. Ata testuan mbi 1000 kampione gjaku të personave ë vuajnë nga dhimbjet kronike. Testet e mëtejshme dhanë “rezultate jashtëzakonisht pozitive”. Ata treguan se “Kenpaullone” ndikon në qetësimin e dhimbjes së palcës kurrizore. Ai gjithashtu redukton ngritjen e niveleve të klorurit të shkaktuar nga dëmtimi nervor në neuronet që përcjellin dhimbjen. Studiuesit zbuluan mekanizmin themelor. “Kenpaullone” pengon një enzimë përcjellëse të dhimbjes të quajtur GSK3-beta që çaktivizon një gjen të quajtur delta-CAT.
“Këto gjetje tregojnë se Kenpaullone, ka potencialin të bëhet mjet i ri në kutinë tonë të mjeteve kundër dhimbjes kronike refraktare, duke përfshirë dhimbjen e dëmtimit nervor dhe dhimbjen e kockave të kancerit. Kjo qasje mund të jetë gjithashtu efektive kundër çrregullimeve të tjera neurologjike dhe psikiatrike në të cilat ky mekanizëm mund të kontriuboj”, shtoi ajo.
Studimi, i botuar në revistën “Nature Communications”, identifikoi tre ilaçe të tjera shumë premtuese që mund të kryejnë funksione të ngjashme.
Burimi:The Independent/Përshtati:Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë