Trashëgimi

Ikonat e vjedhura të Labovës së Kryqit rikthehen pas 14 vitesh në Kishën Ortodokse

Gazeta “SI”-Pas 14 vitesh mungesë, dhjetë ikona me vlera të rralla historike dhe shpirtërore, të vjedhura nga kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Labovën e Kryqit, janë rikthyer në pronësi të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Rikthimi u bë i mundur falë një operacioni të suksesshëm të Policisë së Shtetit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe Institutit Kombëtar të Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, priti në një takim zyrtar Fortlumturinë e Tij, Kryepeshkopin e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, Joan, ku u vlerësua rëndësia e këtij akti si në aspektin kulturor, ashtu edhe në atë shpirtëror.

Gjatë fjalës së tij, ministri Gonxhja u shpreh se ky rikthim është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë institucional dhe një shembull domethënës i luftës kundër trafikimit të pasurive kulturore. Ai theksoi se identifikimi i ikonave u bë i mundur falë regjistrimit të tyre në sistemin kombëtar të trashëgimisë, duke e cilësuar këtë proces si mjetin më të sigurt për mbrojtjen e objekteve kulturore. Sipas ministrit, kthimi i ikonave nuk përbën vetëm një akt ligjor, por një akt drejtësie historike dhe shpirtërore, ndërsa garantoi se bashkëpunimi me Policinë e Shtetit dhe komunitetet fetare do të vijojë për gjetjen dhe rikthimin e objekteve të tjera të humbura.

Nga ana e tij, Kryepeshkopi Joan shprehu kënaqësinë dhe mirënjohjen për rikthimin e ikonave, duke i cilësuar ato si shumë të rëndësishme për historinë, kulturën dhe identitetin e vendit. Ai falënderoi institucionet  për angazhimin dhe vullnetin për t’ia kthyer Kishës Ortodokse këto vlera të çmuara. Kryepeshkopi nënvizoi se mbrojtja e trashëgimisë kulturore është pjesë thelbësore e identitetit europian dhe se bashkëpunimi ndërinstitucional duhet të vijojë për të mirën e përbashkët.

Takimi u shoqërua edhe me diskutime mbi projektet në vijim të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit dhe institucioneve vartëse për restaurimin dhe ruajtjen e kishave dhe manastireve që gëzojnë statusin monument kulture. Të dyja palët ritheksuan rëndësinë e bashkëpunimit me të gjitha komunitetet fetare, si kujdestarë fizikë dhe shpirtërorë të trashëgimisë fetare dhe kulturore të vendit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë