Nga Liridon Mulaj – Sa herë shkrimtarja Mira Meksi vjen me një roman të ri, konsiderohet si një festë për lexuesin shqiptar. Jo vetëm për faktin se romanet e saj janë subjekte të goditura dhe të mirëqëmtuara, por edhe për arsyen se Mira Meksi është një shkrimtare që punon me fjalën si rrallëkush, duke i shndërruar romanet e saj në një fjalor të gjallë të gjuhës së pasur shqipe.
Me romanin e saj më të fundit, “Ikona e plagosur” nga botimet Onufri, Mira Meksi rikthehet duke ndërthurur historinë me mitin dhe realitetin me imagjinatën. E njohur për stilin e saj të dendur, poetik dhe kërkimor, Meksi ndërmerr një udhëtim historik, por edhe shpirtëror nga Napoli në Valencia e deri në malin e shenjtë të Athosit në ndjekje të gjurmëve të Donika Kastriotit dhe ikonës misterioze që mban plagën e saj.
Romani “Ikona e plagosur” është një roman historik, por edhe një sagë shpirtërore që prek kufijtë e besimit, dashurisë dhe, mbi të gjitha, identitetit kombëtar.
Në këtë intervistë për GazetaSi.al, Meksi rrëfen jo vetëm procesin e gjatë kërkimor që e shoqëroi gjatë shkrimit të romanit, por edhe marrëdhënien e saj me historinë, gjuhën dhe misterin e rimishërimit.
Secili shkrimtar ka një punë parapërgatitore për romanet që shkruan, që nga gjetja e subjektit e deri te mënyra se si do ta shtjellojë më pas. Ndërkohë, ju keni një punë parapërgatitore të pazakontë, e cila në fakt së pari ka të bëjë me punën kërkimore të thellë e më pas atë përgatitore. Që nga arkivat e deri te romani është një udhëtim i gjatë dhe i mundimshëm. Pse historia dhe misteret e saj kanë kaq rëndësi për ju?

Mira Meksi: Asnjëherë gjatë krijimtarisë sime letrare, tanimë shumëvjeçare, nuk kam menduar, apo vënë në plan pune të shkruaj një roman historik, apo metafiksion historiografik, siç është termi i saktë. Por kam shkruar tre të tillë gjer tani. Kam shpjeguar se elementi ngjizës i një krijimi letrar mund të jetë një aromë, një imazh, një përjetim, një ëndërr…Dhe pikërisht një nga këto elementë, shumica të ardhur nga fëmijëria, krijon nuklin, bërthamën e asaj që do të shkruhet më pas. Pra nuk kam ndonjë parapëlqim për romanet historike dhe as ndonjë vetëdijë të fuqishme për të shkruar këso syresh. Për romanin Ikona e Plagosur, e kam shpjeguar në shkrimin tim në krye të tij, se elementi ngjizës në këtë rast ka qenë shkrimi mbresëlënës i një historiani të njohur valencian mbi ikonën bizantine të Donika Kastriotit, e cila ndodhet edhe sot e kësaj dite në Manastirin mbretëror të Trinisë së Shenjtë në Valencia të Spanjës, të cilën e pashë me sytë e mi, e preka dhe pata një përjetim jo të zakonshëm.
Rrugëtimi juaj kërkimor për romanin më të fundit “Ikona e plagosur” nis në Napoli, më pas zhvendoset në Valencia dhe përfundon në malin e shenjtë “Athos” në Greqi. Përtej të tjerave, ky libër ka kushtuar edhe financiarisht, përtej mundit kërkimor dhe sigurisht atij intelektual. A mund të jetë një ndër romanet, mbase më të kushtueshëm, të shkruar në letërsinë shqipe?
Jo vetëm për romanet historike kam bërë udhëtime dhe shumë kërkime arkivash apo lexime librash, por edhe për romanet e tjera që kam shkruar. Fjala vjen, për të shkruar romanin E kuqja e demave , ndonëse kisha parë korrida ( ndeshje me dema), m’u desh që, për të vështruar më qartësisht në kujtimet e mia dhe për t’u përgatitur për procesin e të shkruarit, të shkoja sërish e sërish në Spanjë, në Madrid e Tarazona, në stinën e korridave që të përjetoja, me mendje për të shkruar, emocionet e spektaklit ku vdekja luhet realisht, si edhe për t’u stërvitur që të mos i mbyllja sytë përpara saj. Dhe më pas në Manastirin e Veruela-s, ndërkohë që u rishtova në njohjen e Ikonës dhe universin e saj, mbi të gjitha nëpërmjet veprës së teologut të famshëm Evdikomov. Por edhe duke vizituar kisha të famshme ortodokse dhe ikonostasin e tyre, çka më shërbeu më vonë edhe për të shkruar një pjesë të Diktatori në kryq, pasuar nga të tjera vizita në Kishën e Kryqit të Labovës. Apo për të shkruar romanin Kutia e Agatha Christie-t, vizitova disa herë Athinën dhe Stambollin, së bashku me Pera Palace-in. Më tej, për të shkruar Parisi Vret, përveç të tjerash, m’u desh të flija një natë në hotel Ritz në Paris, për të ndjerë luksin që do të ndjente personazhi im kryesor dhe që do të kontrastonte fort me gjendjen e tij të rëndë shpirtërore. Udhërrefyesi im është Jorge Luis Borge-s, i cili thotë se nuk duhet shkruar për gjëra që nuk i sheh dhe nuk i përjeton vetë. Por ju keni të drejtë, Ikona e plagosur, në këtë drejtim, i kalon dhe tejkalon romanet e tjera historike, madje edhe romanin Mallkimi i priftëreshave të Ilirisë, ku pjesa e kërkimit të literaturës dhe përkthimit të saj nga greqishtja e vjetër dhe ajo e mesme, zinte një vend të rëndësishëm. Gjithsesi, për pyetjen që bëni lidhur me anën financiare të ekspeditave letrare, mendoj se eshtë kureshti gazetari, pasi lexuesit kjo nuk i intereson asesi, dhe për mendimin tim nuk ia shton vlerën romanit.

Romani juaj është mirëfilli një sagë historike, e cila niset të zbulojë, jo atë që një lexues i thjeshtë pret , pra, një përfundim logjik ose jo por një të vërtetë e cila zbulohet për të mos përfunduar aty. A është ky roman, sipas jush, një pikënisje për kërkime të tjera, tashmë nga historianët?
Emërtimi sagë është termi i duhur për këtë roman, edhe për arsyen se ky term lindi për romanin në Mesjetë, dhe Ikona e plagosur shpalos pikërisht këtë periudhë – ka në strukturën e tij, elemente të sagës. Pyetja juaj ka lidhje me raportin histori-letërsi, dhe pa e lodhur lexuesin do të thosha se, nëse historia jep fakte, ngjarje, apo individë, ekzistenca e të cilëve është pavarësisht mendjes apo imagjinatës sonë, letërsia, përkundrazi, jep imazhin, përjetimin, ndjenjën e tyre – ajo i jep zjarr imagjinatës sonë dhe na bën t’i përjetojmë faktet, ngjarjet t’i shohim figurat historike, t’i kthejmë në personazhe, të jetojmë, të shqetësohemi, gëzohemi, hidhërohemi dhe të dashurojmë apo urrejmë së bashku me ta. Fjala vjen, a nuk e “sheh” tani lexuesi i romanit Donika Kastriotin? Sigurisht që e sheh, dhe ndoshta për herë të parë, pasi edhe një gravurë që kemi, thuhet që s’ka asgjë reale.
Raporti me të vërtetën në roman është ndoshta kureshtia e lexuesit. E kam thënë që në krye të herës që si autore nuk mëtoj të jap të vërtetën historike. Nga ana tjetër, edhe deduksionet që vishen me trillin romanor, nuk bien ndesh me historinë si shkencë dhe me ato fakte që, siç thamë, ekzistojnë pavarësish mendjes sonë. Si shembull dua të jap gjasën që varri i fshehtë i Skënderbeut mund të ndodhet në Malin Athos. Në roman shpalosen një sërë të vërtetash historike, mbi të cilat edhe vetë historiani mund të ndërtojë hamendësime që do ta shpinin të kërkonte në atë drejtim. Nuk dua ta shpalos më tej idenë, për të mos zbehur kureshtjen e atyre që ende nuk e kanë lexuar romanin. Pa asnjë dyshim, historianët mund të nxiten të kërkojnë jo vetëm varrin e fshehtë të Skënderbeut, por edhe atë të Donikës në Manastirin e Valencias. Të nxitur nga romani. Nuk është paradoks, historia dhe letërsia japin dhe marrin me njera-tjetrën. Në letërsi historia ka marrë jo vetëm frymëzimin, por edhe qoka për të bërë zbulimet e saj të mëdha. Nga ana tjetër, historia shpesh është furnizuesja e lëndës së parë për letërsinë, të cilës, kjo e fundit, i jep jetë.
Lidhja transhendentale mes Norës dhe Eleonorës është gjetja e këtij romani, që në fakt të shkund herë pas here për të të thënë se ky është një fiction edhe pse kufiri mes tij dhe realitetit është një fill i hollë, thuajse i padukshëm. A mund të jemi ne, në të vërtetë, rimishërime të dikujt, apo ky është vetëm një aspekt letrar?
Në të vërtetë nuk bëhet fjalë për transhendencë, por për një rimishërim. Nora Mollosaka historiania e re medieviste, e cila në krah të historianit Arbër Muzaka ndjek gjurmët e ikonës bizantine të Donika Kastriotit, është, në roman, rimishërimi i Eleonora Muzakës, një personazh letrar që frymëzohet nga historia. Ajo është jo vetëm instrumenti i jashtëzakonshëm që arrin të udhëtojë në kohë, nëpërmjet Portave të hapësirës dhe kohës që gjenden në Napoli, dhe të bëjë zbulesën e ngjarjeve apo objekteve të parrokshme nga arritjet e historisë, por edhe simboli i një dashurie që i kapërcen kufijtë e kohës dhe vdekjes. Një linjë e fuqishme e romanit i kushtohet dashurisë së Eleonorës dhe Gjon Kastriotit të Ri, dashuri që ushqehet nga dëshira dhe përpjekjet e mëdha të Gjonit dhe arbërorëve të tjerë për ta çliruar Arbërinë nga osmanët. Dashuria e tyre e pavdirë, është metafora supreme e luftës për liri dhe kthimit në dheun e të parëve.

Rimishërimi është besim në disa religjione, sidomos të Lindjes, por edhe doktrinë filozofike. Shkencëtarët janë munduar që ta shpjegojnë dhe vërtetojnë rimishërimin, sidomos me shembujt e transmetimit të kujtesës, por me sa di, gjer më sot nuk kanë gjetur aprovimin nga komuniteti shkencor. Personalisht i besoj transmigrimit të shpirtit pas vdekjes nga një trup në një tjetër trup, për të arritur një nivel spiritualiteti më të lartë gjithsaherë. Nga ky besim, ka lindur edhe ky personazh në roman.
Në roman ftillohet thuajse e gjithë jeta e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit, dhe familjes së tij, duke na dhënë në mënyrë përfundimtare fundin e fateve tragjike të secilit. Por fokusi është gjetiu: te Donika, dhe më pak te Eleonora. Në fakt, a është ky roman një “tribut” për gratë e Kastriotëve, veçanërisht?
Pjesa historike e romanit nis pas vdekjes së Skënderbeut më 1468, kur familja e tij, e shoqja Donika Kastrioti dhe i biri Gjon Kastrioti i Ri ftohen nga mbreti i Napolit Ferrante I për të jetuar në feudet e tyre në Pulja. Figura qendrore e romanit është Donika Kastrioti, ose zonja e parë historike e ne shqiptarëve. Një figurë pak e ndriçuar nga historia jonë, ndoshta edhe për shkak të madhështisë së figurës së të shoqit, por shumë e vlerësuar dhe e admiruar prej njërit nga oborret mbretërore më të fuqishme të kohës, oborrit të kurorës së Aragonit. Ishte mikeshë, këshilltare dhe bestare e mbretëreshës Juana III e Aragonit, mbrojtje e arbërorëve të shpërngulur nga dheu amë, dhe mbështetje e fuqishme e të birit dhe të nipit në pëpjekjet e tyre për të çliruar Arbërinë. Gjithsesi, ajo dhe ikona e saj bizantine, Shën Mëria e Strehës së Mëkatarëve, e cila kishte një të çarë thike në fytyrën e nënës së Zotit, ndërtohen dhe zhvillohen përgjatë gjithë romanit në funksion të gjetjes së varrit të fshehtë të Skënderbeut – misterit të madh të Ikonës së plagosur.
Ndërkohë, romani “Ikona e plagosur” është edhe një roman i guximshëm. E them këtë për arsye se në subjekt, turqit trajtohen si e keqja e madhe , por ka edhe serbë në roman. Që nga Milloshi, një figurë thuajse e sfumuar, e deri te paramilitarët serbë që fshihen në malin e shenjtë. A keni pasur drojë për këtë fakt dhe a e keni menduar ndonjëherë se këto përfshirje mund të nxisin debate?
Për mua pushtimi osman i Arbërisë ka qenë dhe mbetet një nga zezonat më të mëdha të historisë sonë kombëtare. Historiani serb Milloshi, ambicioz, i zgjuar, i dashuruar me Norën në një rrjedhë kohe, i ndihmon shumë historianët shqiptarë me gjetjen e dokumentave në arkivat e Beogradit. Është personazh shumë simpatik. Sa për qëllimet e mbrapshta të Beogradit në lidhje me historinë e kombit tonë, me Qenien tonë historike, dhe me identitetin tonë kombëtar, këto dihen që gjithmonë. Djegia e Pirgut të Arbërit ( Arbanaskij Pirg), depandansë e manastirit serb të Hilandarit në Malin e shenjtë Athos, në kishën e së cilit preheshin eshtrat e Gjon Kastriotit, atit të Skënderbeut ( e dhënë historike), ka përkuar me bombardimet e Natos kundër Serbisë më 1999, dhe kjo nuk është rastësi. Nuk ka trill romanor këtu. Sa për paraushtarakët serbë që kishin bërë krime në Kosovë dhe që u strehuan në Hilandar për t’i shpëtuar drejtësisë, ka qenë si informacion në gazetat e kohes, dhe nuk është as shpikja ime dhe as imagjinatë.

Sa punoni me gjuhën, çfarë është ajo për ju?
Në punën e krijimit letrar, për mua gjuha është gjithçka. Gjuha shqipe, të cilës i kam kushtuar jetën, është aq e zhdërvjelltë, si asnjë gjuhë tjetër në botë ( ndoshta mund të krahasohet me greqishten e lashtë) sa me të mund të bësh “çimçakiza gjuhësorë” jam shprehur diku. Punoj shumë me të në punishten e krijimit ku trapis baltën letrare. Thurimën e saj e shthur, e shpleks, dhe e rithur nga e para sipas modelit krijues që ndërtoj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



