Politike

Ikja e trurit, Meta: Rekord i zi. Rama: Shëmti, raporti i para 5 viteve. Basha: Kryeministri të ikë

“Një tjetër rekord i zi!”- kështu i konsideron statistikat të publikuara nga OECD për ikjen e intelektualëve shqiptarë jashtë kufijve presidenti Ilir Meta.

“Largimi i “ajkës” së shoqërisë, është një tjetër tregues i dhimbshëm se nga Shqipëria po largohen edhe qytetarët, që kanë një standard të mirë jetese, marrin një pagesë të kënaqshme dhe kanë një pronë, por për të cilët niveli i shërbimeve publike është i papranueshëm, ndjehen pa zë, të papërfaqësuar, të pafuqishëm për të ndryshuar gjendjen në vend dhe të pashpresë për të ardhmen e fëmijëve të tyre”- shkruan presidenti në faqen e tij në Facebook.

Për të, referendumi i 25 prillit 2021 është vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë, jo vetëm për 4 vite, por për dekadat që vijnë.

Është një mundësi për të rikthyer standardet cilësore të shërbimeve, thotë ai, respektin dhe dinjitetin njerëzor, për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm për të gjithë, me mundësi dhe shpresa të reja, veçanërisht për rininë.

“Me shpresë dhe besim, të bashkohemi e të marrim në dorë fatet tona për të ndryshuar këtë realitet, që po shkatërron familjet dhe po plak Shqipërinë, për të ndërtuar këtu të ardhmen e sigurtë dhe europiane për të gjithë”- përfundon presidenti Meta reagimin e tij.

Kurse kryeministri Edi Rama e konsideron propagandë të dhënat e largimit të shqiptarëve jashtë kufijve. “Propaganda me largimet e shqiptarëve është një shëmti e madhe, që tregon karakterin e natyrën e vërtetë të opozitarëve tanë! A thua se Iliri, Saliu apo Luli e Monika nuk ishin në pushtet me vite të tëra dhe po këta do t’i kthejnë shqiptarët nga rruga, me kallamin e tyre magjik!”- shprehet kreu i qeverisë.

Por një raport, thotë ai, me të dhënat e 5-6 viteve më parë, i përdorur për politikë kundër qeverisë sot nga Presidenti i Republikës, është fiks argumenti pse shqiptarët në 25 prill duhet ta shqelmojnë jashtë organizmit politik të Shqipërisë ndërmarrjen private të LSI-së! “Çfarë degradimi!”- përfundon Rama reagimin.

Por kryeministrit iu përgjigj kryetari i PD, Lulzim Basha. “Edhe sot Rama u përpoq të fajësojë të tjerët për dështimet e tij. Largimi masiv i shqiptarëve është një nga dështimet më të mëdha të Ramës. Shqipëria po humb një brez të tërë prej largimeve masive të 8 viteve të fundit. Rama duhet të largohet që vendi të shpëtojë nga kjo katastrofë”, shkruan Basha në Twitter.

Raporti i OECD

Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në një raport të vitit që sapo lamë pas, evidenton se Shqipëria renditet e katërta në botë për rritjen në normën e emigracionit të personave me aftësi të larta në punë.

Periudha e studimit i përket viteve 2000/2001 deri në 2015/2016.

Për këtë periudhë të marrë në studim, rritja e normës së emigrimit të personave me aftësi të larta është 14.6 pikë përqindje, pas Liberisë (27.9) dhe Butanit (15.4) dhe në të njëjtin nivel me Moldavinë. Pas Shqipërisë renditet Rumania, me rritje 11.8pikë përqindje.

Për Bosnjën, rritja është 11.5pp, për Maqedoninë e Veriut 10pp.

Shqipëria renditet edhe ndër 10 vendet e para në botë për normën e emigracionit të personave me aftësi të larta, duke e pasur këtë tregues 38.1%, që sipas tabelës së OECD pozicionohet në vendin e tetë në botë për normën e largimit të intelektualëve.

Megjithatë, Shqipëria prej dekadash është prekur nga emigracioni masiv i popullsisë, kurba e të cilit nuk po njeh zbutje, por ikja e të arsimuarve është në nivele alarmante.

Emigracioni është një fenomen që prek vendet me të ardhura të ulëta dhe të gjitha shtresat e popullsisë, por të arsimuarit kanë prirje për të emigruar më shumë.

Sipas raportit, në Europë, vendet e Ballkanit janë ndër burimet më të mëdha të migrantëve.

Për shembull, Shqipëria ka një normë totale emigrimi prej 29%, Bosnjë dhe Hercegovina prej 20% dhe Maqedonia e Veriut prej 18%.

Ky emigracion është e lidhur me disa faktorë: jo vetëm individët me arsim të lartë zakonisht kanë më shumë mundësi financiare për t’u angazhuar në migracionin ndër-shtetëror sesa kolegët me kulifikim më të ulët, por gjithashtu shumë vende të OECD kanë miratuar politika më të favorshme migrimi për personat me aftësi të larta.

Shkalla e përgjithshme e emigrimit të individëve me arsim të lartë drejt vendeve me mirëqenie të lartë, OECD, është 16% në 2015-16. Tek të arsimuarit me arsim te mesëm është 5%.

Megjithatë, ka ndryshime të mëdha në të gjithë vendet e origjinës. Për shembull, vende të tilla si Mozambiku dhe Somalia kanë shkallë të lartë të emigracionit me afërsisht 30%, dhe këto dyfishohen në mbi 66% në rastin e Trinidad dhe Tobago dhe Guajana.

Ndërsa sa i përket numrit të lartë të emigrantëve të arsimuar drejt zonës së OECD, India kryeson me mbi 3 milionë emigrantë me nivel të lartë të arsimit, të ndjekur nga Kina (2 milionë) dhe Filipine (1.8 milionë).

Vetë vendet e OECD-së kanë një numër të madh të personave të arsimuar që punojnë në vende të tjera. Afërsisht 1.4 milionë gjermanë dhe 1.7 milionë britanikë me diploma universitare banojnë në vendet e tjera të OECD-së.

Në mesin e të arsimuarve me nivel të ulët, shkalla e emigracionit është 5.4% për burrat dhe 5.8% për gratë.

Ndër të arsimuarit e lartë, shkalla e emigrimit të burrave dhe grave është pothuajse identik në 8.6%.

Ky stduim i OECD nuk është i vetmi që evidenton ikjen e trurit nga Shqipëria. Një studim i mëparshëm i profesorëve Ilir Gëdeshi dhe Russell King, tregoi se Shqipëria renditet në mesin e e vendeve për emigracion të lartë të personave të arsimuar dhe me grada shkencore.

Numri i studentëve shqiptarë në vendet e OECD u rrit me 430% në vitin 2016 në raport me vitet 2000.

Shqetësim prej vitesh është bërë ikja e mjekëve dhe infermierëve në Gjermani e vende të tjera europiane.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë