Bledar Hoti- “Nuk e kemi paragjykuar Saimir Tahirin. Ajo që kam thënë dhe do e përsëris është se shumë shqiptarë, dhe unë, mendojmë se ka prova reale që i sheh në media çdo herë që del kjo çështje, për manipulim politik të çështjes. Tani, ne besojmë, Qeveria e SHBA beson se kjo çështje është mjaftueshëm e rëndësishme sa meriton të vendoset në gjykatë nga një gjykatës që ka kaluar Vettingun, sipas provave, dhe jo sipas presionit politik. Këtë kërkojmë. Mbështesim përpjekjet që kjo të shkojë përpara në mënyrë transparente. Z. Tahiri ishte ministër kur këto krime pretendohen të jenë kryer. Është logjike të mendohet se kjo çështje në fakt mund të jetë një nga të parat që do të gjykohet në një gjykatë të SPAK, nga gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar Vettingun. Kjo është diçka që do ta mbështesnim fort”.
Kjo ishte deklarata e fundit e ambasadorit amerikan Donald Lu, e dhënë një intervistë për “Vizion Plus” përpara ikjes nga Shqipëria, reagim që dukej si një porosi e diplomatit përpara se të niste detyrën e re në Kirgistan.
Në qëndrimet e tij, pothuajse në çdo dalje publike e sa herë që flitej për Reformën në Drejtësi dhe për kapjen e “peshqve të mëdhenj”, gjatë ushtrimit të mandatit në Tiranë, ambasadori Lu ka qenë tejet i ashpër ndaj dy çështjeve, hetimit ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe të shtyrjes së pafund të seancave gjyqësore të dosjes “Shullazi”. “Jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku Shullazi vetë ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq. Si ka mundësi që ky vend të ecë përpara kur ndodhin këto gjëra? E di që Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku dhe Ardi Veliu do të gjykohen mbi faktin nëse do të jenë të aftë t’i vënë këta kriminelë pas hekurave”, do të shprehej Lu në këtë intervistë sa i përket zvarritjes së çështjes “Shullazi”.
Të gjithë këto deklarata u duk se do të liheshin në harresë me ikjen ambasadorit Donald Lu, madje në rrethet politike u shihnin si tejkalim të qëndrimeve të një përfaqësuesi diplomatik të një shteti.
Por kjo linjë dhe apel për mbylljen e këtyre hetimeve të këtyre çështjeve “Tahiri” dhe “Shullazi’ është qëndrimi zyrtar i SHBA-ve. Kjo u bë e ditur nga vetë numri dy i ambasadës amerikane në Tiranë, edhe pse selia diplomatike është në pritje të ambasadorit.
Zëvendës Ambasadorja Amerikane në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, në daljen e parë publike në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve të Magjistratëve, duke folur për efektet e Reformës në Drejtësi, nuk “harroi” t’u kujtojë edhe dy çështjet e lëna si porosi nga Lu.
Moses-Ones tha se SHBA do të vijojë të jetë në mbështetje të atyre zyrtarëve të ndershëm të cilët do të kontribuojnë për një sistem efektiv drejtësie. Ajo theksoi se duhet të vijojnë hetimet për ish-ministrin Saimir Tahiri dhe Emiljano Shullazi.
“Shumë prokurorë e gjyqtarë kanë ardhur para jush. Ata mbajnë po ashtu premtimin për paanshmëri dhe besim tek publiku. Shërbyen disa me nderim, por shumë nga ata diskretituan sistemin. Ata dështuan në misionin e tyre të sundimit të ligjit. Të korruptuarit do të largohen. Ata do të jenë e shkuara dhe ju e ardhmja. Mbani premtimin. Diçka që nuk do të ndryshojë është mbështetja e SHBA për sundimin e ligjit. Do të jemi kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që bëhen të pasur përmes korrupsionit. Për të favorizuar të fortët apo për të shmangur ligjin ndaj vetë atyre. SHBA do të ndihmojnë shërbyesit publik të ndershëm. Deputetë e Kuvendit të punojnë bashkë për emërimin e këtyre magjistratëve. Mbështesim ngritjen e SPAK dhe BKH. Duhet të vijojë hetimi ndaj Tahirit dhe Shullazit! SHBA e mbështet investigimin ndaj tyre”, tha në fjalën e saj numri dy i ambasadës amerikane.
Leyla Moses-One është emëruar si zv.ambasadore e SHBA në Tiranë. Për momentin ajo është përfaqësuesja zyrtare e qeverisë amerikane, pasi akoma nuk është vendosur për ambasadorin e ri amerikan. Pas largimit të Donald Lu, presidenti Donald Trump ka propozuar Ann Kavalec. Por, për të marrë vendimin përfundimtar, e propozuara e Trump duhet të kalojë votimin në Senat, atje ku edhe çështja ka mbetur. Kavalec ka qenë Zëvendës ndihmës sekretare në Zyrën e Çështjeve Evropiane dhe Euroaziatike në Departamentin e Shtetit. Në këtë cilësi, ajo është përgjegjëse për Rusinë dhe për Zyrën e Çështjeve Rajonale. Më parë ajo ka shërbyer si Drejtore për Çështjet Ruse në të njëjtën Zyrë.
Deri në kalimin e këtij procesi, Moses-One do të jetë e ngarkuara me punë e shtetit amerikan. Sipas burimeve, procesi për caktimin e ambasadorit të ri mund të zgjasë deri në muajin dhjetor.

Vetë Lu në takimet e lamtumirës së zhvilluar me liderët politikë Lulzim Basha, Sali Berisha, Monika Kryemadhi shoqërohej nga zv.ambasadorja e re amerikane, ku e prezantonte zyrtarisht në këto takime. “Takim lamtumire me ambasadorin Donald Lu dhe mirëseardhje me zv. Ambasadoren Leyla Moses-Ones. PD krenare për miqësinë dhe bashkëpunimin me SHBA, partnerin strategjik të Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, do të shkruante kryedemokrati Basha në Twitter pas takimit të zhvilluar më 14 shtator.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




