Dozat e presionit mbi Theresa May për planin e saj të divorcit me Bashkimin Europian dyfishohen brenda pak orëve.
Fillimish Sekretari për procesin Brexit, David Davis dhe më vonë Boris Johnson, ministër i Jashtëm i Britanisë së Madhe kanë dhënë dorëheqjen duke e futur në një qorrsokak gjithë procesin e negociatave me Brukselin për shkëputjen nga unioni.
Dorëheqjet i paraprinë daljes së Theresa May në Parlamentin britanik për të njoftuar deputetët për planin e shkëputjes. Plani në vetvete, përveçse kundërshtohet nga rivalët laburistë, ka ngjallur pakënaqësi edhe brenda vetë radhëve të konservatorëve.
Zëra të rëndësishme brenda partisë së May nuk janë dakort me këtë plan, sidomos me pjesën ku flitet për tregtinë dhe lëvizjen e lirë, por edhe për atë të emigracionit.
Në dritën e zhvillimeve të fundit, May mund të sfidohet brenda partisë dhe nëse e humbet besimin e deputetëve të saj largohet detyrimisht.
“Është koha e gabuar për të kontestuar lidershipin dhe unë shpresoj që kjo të mos ndodhë”, deklaroi për BBC Grant Shapps, deputet i Konservatorëve.
Laburistët nga ana tjetër fërkojnë duart dhe thonë se qeveria po shpërbëhet,
“Është një kaos total. Vendi është i bllokuar me një qeveri të përçarë dhe simbol të turpit. Kryeministrja sot nuk mund ta çojë më tej procesin e Brexit pasi i mungon autoriteti për ta bërë këtë”, deklaroi zv.kryetari laburist, Tom Watson.
Dorëheqja e Boris Johnson është mirëpritur nga Nigel Farage, kreu i populistëve të UKIP.
“Të lumtë Boris Johnson! Tani a mund ta heqim qafe Theresa May dhe të rikthejmë në shinat e duhura Brexit?”, shkruan ai në Twitter.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.