Shendet

“iGen”, smartfonët po çrregullojnë mendërisht adoleshentët

Në vetëm pesë vite, nga 2010 deri në vitin 2015, numri i adoleshentëve amerikanë që e ndjenin veten të padobishëm dhe jo të lumtur, simptomat klasike të depresionit, u rritën me 33 për qind. Sipas studimeve, vetëvrasjet e adoleshentëve u shtuan me 23 për qind dhe akoma më shqetësuese është shifra se u rrit me 31 për qind numri i personave të grupmoshës 13 deri në 18 vjeç që kishin kryer vetëvrasje.

Nga një analizë e të dhënave të publikuar në “Clinical Psychological Science”, e Jean Twenge, profesore e Psikologjisë në Universitetin Shtetëror të San Diegos rezulton se rritja e depresionit, tentativat për vetëvrasje dhe vetëvrasjet shfaqeshin tek adoleshentët pa dallim kulture, etniciteti, gjinie e edukimi familjar dhe përfshin çdo cep të Shteteve të Bashkuara.

“E thënë më thjesht, analiza jonë për gjeneratën e adoleshentëve, që unë e quaj “iGen” del në përfundimin se ata të lindur pas vitit 1995 janë më shumë të prirur për të patur çrregullime mendore se gjenerata paraardhëse e tyre”, thotë Twenge.

Por, çfarë ndodhi që në një periudhë kaq të shkurtër shifrat e vetëvrasjeve dhe depresionit mes adoleshentëve në SHBA u rritën kaq shumë? Jean Twenge është e bindur, që ka vetëm një faktor kryesor që ndryshoi rrënjësisht jetën e adoleshentëve dhe ai është ekrani i vogël i telefonave inteligjentë.

Twenge përjashton shkaqet ekonomike, pasi të dhënat sugjerojnë se nga 2010 deri në 2015 pati një rritje të lehtë të ekonomisë dhe të punësimit. “Pabarazia në të ardhura mbetet ende një prej shkaqeve, por ky shkak nuk u shfaq befas në 2010, ai ekzistonte më parë, ekziston ende dhe do të vazhdojë të ekzistojë”, thotë psikologia.

Por, ka një të dhënë tjetër që shkon paralel me rritjen e kurbës së depresionit, tentativave të vetëvrasjes dhe vetëvrasjeve mes adoleshentëve. E dhëna lidhet me telefonat inteligjentë. Qendra Kërkimore Peë thotë se në fund të 2012 më shumë se gjysma e amerikanëve kishin në dorën e tyre një telefon inteligjent.

Twenge thotë se shpërndarja më e madhe e telefonave ishte tek brezi i ri dhe adoleshentët, rreth 71 për qind e tyre kishin një pajisje që u mundësonte lidhjen në internet. E njëjta shifër është edhe për adoleshentët që kalojnë nga 4 deri në 5 orë në internet.

“Nga analiza e tentativave të vetëvrasjeve dhe e vetëvrasjeve vërehet se viktimat janë të lidhur fort me botën online. Pra, sa më shumë qëndronin online, aq më i lartë ishte rreziku për t’u cekur nga depresioni. E kundërta vërehet tek ata që qëndrojnë nga 1 deri në 2 orë online dhe kanë një jetë aktive”, thotë psikologia amerikane.

Dilema që mundon Jean Twenge është lidhja depresion-internet. “Sigurisht, është e mundur që në vend që koha e shpenzuar online të shkaktojë depresioni, depresioni të shkaktojë më shumë kohë qëndrimi online, por në të gjitha studimet arrihet në përfundimin se rrjetet sociale shkaktojnë mungesë lumturie dhe jo mungesa e lumturisë shtimin e orëve të qëndrimit në rrjetet sociale ”, thotë ajo.

Sipas saj, teoria se depresioni shkakton më shumë kohë qëndrimi online nuk qëndron, pasi ajo nuk shpjegon se përse depresioni u rrit befas pas vitit 2012, kur një numër i madh adoleshentësh u bënë depresivë për shkaqe të panjohura.

Këshilla e psikologës është e thjeshtë: mbani sa më larg që të mundni adoleshentët nga telefonat inteligjentë dhe nxisni aktivitetin fizik dhe jetën shoqërore reale të tyre.

“Ne kemi arritur se sa më shumë kohë të kalojë një adoleshent në një jetë të izoluar reale, aq më të larta janë gjasat që ai të vuajë nga depresioni, ndërsa adoleshentët që kalojnë më shumë kohë me aktivitete dhe kanë të kufizuar shoqërimin virtual online janë imunë ndaj këtij fenomeni”, deklaron Twenge.

Psikologia amerikane thotë se qëndrimin online nuk është i vetmi faktor, por është kryesori. Një tjetër faktor është pagjumësia, por edhe këtë e lidh me përdorimin e telefonave inteligjentë.

Shënim: Jean Twenge është autore e mbi 100 artikujve dhe studimeve shkencore dhe e gjashtë librave, përfshirë librin “iGen” dhe “Generation Me”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë