Futboll

Ideja e fundit në Angli, futja e një ‘arbitri robot’ dhe autonom në Premier Ligë

Gazeta Si – Po sikur VAR-i të jetë i gjithi autonom? Kjo është pyetja që shtrojnë aktualisht në Premier Ligë, ku gabimet arbitrale kanë filluar të peshojnë.

Diskutimet e shumta dhe kritikat ndaj ‘momenteve të papara’ nga arbitrat e ndeshjeve kanë ndezur mediat në Angli. Të gjithë ankohen për punën e arbitrave, për të cilët thuhet se janë të shpërqendruar në disa situata, ku kanë marrë vendime të gabuara. Rasti flagrant është ai i Totenhem-Liverpul, ku lojtarët, stafi dhe tifozët u goditën nga një gabim i VAR-it.

Për një zgjidhje më të mirë ka menduar Mark Bulingham, kreu FA-së. Gjatë një konference të ‘Leaders Week’ në Londër ai ka folur për futjen e një arbitri robotik dhe autonom në Premier Ligë. Duket një ide ‘futuriste’, por mund të zgjidhë disa problematika që sot godasin botën e futbollit.

"A ka mënyra për të marrë vendime më shpejt? Shohim vazhdimisht inovacione teknologjike, si pozicioni jashtë loje gjysmë-automatik, po nëse kjo mund të bëhet në mënyrë autonome? – ka thënë Bulingham,duke hapur rrugën për një ‘arbitër robot’. – Nëse do të jetë e mundur, do të ishte një hap përpara për vendime precize të marra shumë shpejt.

Nëse mund ta bëjmë, do të ishte më mirë, për tifozët në radhë të parë, por edhe për futbollistët dhe të gjithë ne, që të evitojmë atë pritje të gjatë. Është gjithçka për t’u eksploruar, do të shohim çdo ide që do të paraqitet".

Këto fjalë të drejtuesit të futbollit anglez kanë bërë bujë menjëherë, edhe jashtë Anglisë. Futja e një ‘arbitri robot’ dhe autonom do të revolucionarizonte lojën e futbollit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë