Bota

ICE drejt tërheqjes? Trump fajëson demokratët për vrasjet në Mineapolis

Gazeta Si – Në një intervistë telefonike me “Wall Street Journal”, Donald Trump u shfaq i hapur ndaj idesë së tërheqjes së ICE nga Mineapolis, megjithëse pa specifikuar një afat kohor.

“Në një moment, ne do të largohemi. E kemi bërë, ata kanë bërë një punë fenomenale”, tha presidenti amerikan.

Komentet e tij erdhën pasi infermieri Alex Pretti u vra nga agjentët federalë të emigracionit.

Kur u pyet nëse agjentët do të largoheshin së shpejti, ai vlerësoi përpjekjet e administratës në Minesota dhe u përgjigj: “Po lëmë një grup të ndryshëm njerëzish atje për mashtrim financiar”.

Trump përmendi një skandal të përhapur mashtrimi me shërbimet sociale në shtet si justifikim për intensifikimin e zbatimit të ligjit për imigracionin.

Trump ia hodhi fajin për incidentin në Mineapolis demokratëve, duke i akuzuar ata jo vetëm për bashkëpunim me agjentë federalë – ndryshe nga shtetet republikane – por edhe për inkurajimin e “agjitatorëve të krahut të majtë për të penguar në mënyrë të paligjshme operacionet e tyre për të arrestuar më të këqijtë e të këqijve”.

“Duke vepruar kështu”,  shkroi ai në Truth, “demokratët po i vënë emigrantët e paligjshëm kriminelë mbi qytetarët që zbatojnë ligjin dhe paguajnë taksat dhe kanë krijuar rrethana të rrezikshme për të gjithë të përfshirët. Tragjikisht, dy qytetarë amerikanë kanë humbur jetën si rezultat i këtij kaosi të shkaktuar nga demokratët”.

Presidenti i SHBA-ve, i ka bërë thirrje Kongresit të miratojë legjislacion për t’i dhënë fund politikave të juridiksionit të emigracionit, mes tensioneve në rritje pas ngjarjeve në Mineapolis.

Në një postim në Truth Social, Trump shkroi se ai “i bën thirrje Kongresit të Shteteve të Bashkuara të miratojë menjëherë legjislacionin për t’i dhënë fund qyteteve strehë” dhe i bën thirrje Guvernatorit të Minesotës, Tim Ëalz, Kryetarit të Bashkisë së Mineapolis, Jacob Frey dhe të gjithë kryetarëve të bashkive dhe guvernatorëve demokratë, “të punojnë zyrtarisht me administratën Trump për të zbatuar ligjet e vendit tonë, në vend që të rezistojnë dhe t’i fryjnë flakëve të përçarjes, kaosit dhe dhunës”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë