Kohë rinovimesh te Milani. Firma me trajnerin Stefano Pioli është punë ditësh, ndërsa Maldini dhe Masara janë duke punuar për të “blinduar” Hernandezin, Benaserin dhe Leaon, por edhe Zllatan Ibrahimoviç është afër zgjatjes së kontratës edhe për një vit tjetër me kuqezinjtë.
Sipas “Gazzetta dello Sport”, mes palëve ka sinjale pozitive dhe nëse fiziku i sulmuesit do të përgjigjet, siç ka bërë deri tani, suedezi do të firmosë edhe për një sezon tjetër me Milanin.

Pas pak muajsh, me shumë mundësi në fillim të vitit, kur merkatoja e dimrit të jetë mbyllur dhe rinovimet e tjera të jenë përcaktuar, Ibra dhe Milani do të diskutojnë rinovimin deri më 30 qershor 2023. Nëse nuk do të ketë probleme të gjendjes fizike, firma do të jetë thjesht një formalitet.
Sintonia mes futbollistit suedez dhe ambientit kuqezi është totale, ashtu siç janë në linjë edhe ambiciet individuale dhe kolektive. Ibrahimoviç dëshiron të fitojë me Milanin diçka këtë sezon, të zgjatë kontratën deri në 2023-shin dhe ndërkohë të marrë pjesë me Suedinë e tij në Botërorin e Katarit.
Nëse Zllatani do të jetë ai i fillimit të sezonit edhe muajt e ardhshëm, aventura e tij me fanellën kuqezi do të vazhdojë edhe për një vit tjetër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




