Futboll

Ibrahimoviç në kërkim të golit të titullit, si në 2008-ën me Interin

Gazeta Si – Ibrahimoviç nuk është mësuar të shohë pas, por këtë herë mund të bëjë një përjashtim. Suedezi, 14 vjet më parë, me një dopietë në Parma i dhuroi titullin Interit. U fut nga stoli dhe vinte pas një dëmtimi të gjatë.

Tani janë kohë të tjera, por një situatë e ngjashme për sulmuesin veteran. Të dielën Milani mund të fitojë titullin e 19-të, duke barazuar Interin. Pioli ka zgjedhur Zhiru titullar dhe Ibrahimoviç në stol, gati për të ndryshuar ndeshjen gjatë zhvillimit të saj.

Zllatan Ibrahimoviç. Gazeta Si,20 maj 2022

Ibra tani është 40 vjeç, ka një model tjetër flokësh, por ka të njëjtin vështrim me lojtarin që thyente Parmën me 2 gola në 40 minuta. Sezonin 2007-08, java e fundit luhej më 18 maj, Interi duhej të fitonte në “Tardini”.

Roma luante në Katania dhe Vuçiniç shënoi menjëherë, duke vënë në presion interin. Ibrahimoviç ishte në stol, nuk luante prej 29 marsit. Mançini ishte nervoz si kurrë më parë, nën një shi të fortë. Në një moment thirri Ibrën në pjesën e dytë dhe i tha: ‘Na jep titullin!’

Sulmuesi zbatoi ‘urdhrin’, shënoi dy herë ndaj Parmës dhe Interi u shpall kampion i Italisë. Ka kaluar shumë kohë, por sytë e Ibrahimoviç janë po ata. Pastaj, janë edhe rekordet për t’u arritur.

Me një gol ndaj Sasuolos, Zllatan Ibrahimoviç do të bëhej shënuesi i dytë më i vjetër në moshë i Serisë A, pas Kostakurtës. Një motiv më shumë për të ndalur kohën. Si në Parma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë