Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj në një takim me krerët e bashkive të vendit, ka treguar gjendjen e tyre financiare, duke theksuar se vështirësitë dhe problemet financiare janë ende prezente.
Ibrahimaj tha se që pas reformës territoriale bashkitë kanë pasur përmirësime të dukshme në arkëtimin e taksave dhe në reduktimin e stokut të detyrimeve.
“Ne i kategorizojmë bashkitë në bazë të performancës së tyre financiare; pa probleme, me probleme, me vështirësi, në vështirësi serioze dhe paaftësia paguese. Në kategorizimin e fundit nuk ka asnjë bashki. Kemi përmirësim, 8 janë bashkitë me probleme financiare dhe 4 me vështirësi financiare. Bashkia Peqin, Tropoja, Pogradeci dhe Delvina janë ato që kanë probleme”, tha ministrja.
Ndërkohë, Vora, Cërriku dhe Kavaja janë në vështirësi financiare. Ibrahimaj tha se gjatë 2022-shit ka pasur dhe bashki që e kanë shtuar stokun e detyrimeve të prapambetura deri në 10%.
“Kemi pasur një rritje të stokut nga 5-10% për bashkitë Përmet , Kurbin, Peqin dhe Devoll, ndërsa rritja nga 1-5% për bashkitë Selenice, Gjirokastër, Dropull, Tirane, Shijak dhe Dimal.”
Ministrja e Financave njoftoi se për bashkitë që kanë buxhet të paalokuar, pra të pashpenzuar do ta përdorin për të shlyer detyrimet që kanë stok, që deri tani i paguante qeveria.
“Ne presim që në fund të korrikut, të na paraqitet një plan masash nga secila bashki, me qëllim përmirësimin e kësaj situate. Do doja që ju të kishit vëmendje maksimale në hartimin e këtyre planeve. Dua që të merrni parasysh se vlerësimi i vitit të ardhshëm do të bëhet nga fakti dhe jo plani”, u shpreh ministrja përgjegjëse për financat.
Ajo theksoi se taksa mbi pronat e paluajtshme që do të miratohet brenda vitit do të jetë një burim i ri financash për bashkitë që të mund të shfrytëzohet për investime.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.