Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, në prezantimin e projektbuxhetit të vitit 2023, njoftoi se synim do të jetë përsëri mbrojtja e familjarëve nga rritja e çmimit të energjisë dhe digjitalizimi i ekonomisë.
“Do të mbështesim me 12 miliardë lekë sektorin energjitik për të ruajtur çmimin e energjisë për konsumatorët familjarë dhe bizneset. Sigurisht kjo është e kushtëzuar në bazëtë kushteve atmosferike dhe gjendjes financiare. Por fatura që do të paguajë qeveria është e konsiderueshme”, -tha ministrja duke ripërsëritur dhe thirrjen për kursim të energjisë.
Ibrahimaj tha se në mesin e vitit të ardhshëm do të rriten përsëri pagat për punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë.
“Qëllimi i këtij buxheti është mbështetja e shtresave në nevojë, sektorit energjitik dhe sigurimin e qëndrueshmërisë ekonomike e konsolidimit fiskal”, -përfundoi ministrja.
Ibrahimaj sqaroi dhe se taksimi për biznesin e vogël nuk do të ndryshojë e do të mbetet zero përqind deri në vlerën e 14 mln lekëve.
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, pjesë e Konferencës së Kryetarëve, kërkoi fillimisht që prezantimi i projektbuxhetit të mos bëhet pa paketën fiskale, pasi ai nuk mund të miratohet dhe nuk mund të ndërtohet pa përfshirë masat fiskale.
“Në prezantimin e buxhetit do ju sqarohet se si do implikojë paketa fiskale buxhetin. Të dyja do diskutohen bashkërisht. Paketa do miratohet të mërkurën e ardhshme dhe do diskutohen bashkërisht”, – njoftoi ministrja Ibrahimaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



