Gjatë debatit për projektbuxhetin në Komisionin e Ekonomisë, ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj tha se për 2022 nuk do të ketë kontrata koncesionare dhe se synohet të merret vetëm hua e brendshme.
Përgjigjet e saj ishin për deputetin e Partisë Socialiste, Erion Braçe i cili i drejtoi disa pyetje të drejtpërdrejta ministres për më shumë transparencë mbi projektbuxhetin dhe paketën e re fiskale.
Brace ngriti pyetjen se nga se do të vijë rritja ekonomike prej 4.1%.
“Më herët faktorë të rritjes ekonomike kanë qenë industria nxjerrëse, energjia dhe ndërtimi. A nuk mendoni se ndërtimi është në një fazë maturimi? Për më tepër që rindërtimi është duke u ezuaruar? Tregtia? Po transporti? Shërbimi Ushqimor? Arsimi? Shëndetësia?” pyeti deputeti socialist.
Në përgjigjen e saj, ministrja Delina Ibrahimaj, tha se të gjitha parashikimet janë në linjë me Fondin Monetar Ndërkombëtar.
“Për vitin 2022, parashikohet rritje e sektorëve të peshkimit dhe bujqësisë me 1.8%, industrisë nxjerrëse 5.3%, përpunuese 4.1%, sektori energjitik dhe gazi me 3.2%, furnizimi me ujë dhe menaxhimi i mbetjeve me 3.5%, ndërtimi me 2.1%, transporti me 9.3%, ushqimi 14.3%, informacioni dhe komunikacioni me 2.9%.”( Në raport me 2021.)
Më tej Braçe drejtoi pyetjen nëse konsumi planifikohet në rritje, a do të ndikohet nga rritja e çmimeve, si nga ana e popullatës ashtu edhe nga ana e qeverisë. Qeveria ka në plan të shpenzojë me pak për shpenzime kapitale, më shumë apo do t’i stabilizojë ato? Të gjitha raportet thonë se keni probleme. Jemi ne realisht në rritjen e 4.1% referuar burimeve? Akti normativ qe kemi në fuqi do të realizohen të ardhurat, se në rast se do realizohen pse parashikohen të ardhurat në rënie në raport me GDP?
”Ministrja e Ekonomisë u përgjigj duke thënë se konsumi final parashikohet me rritje 2.6%. Konsumi final i popullatës 2.4%, i administratës publike 4%, institucionet jofitimprurëse2%. Kapitali fiks bruto do të rritet me 4.2% dhe rritja do të jetë negative për investime publike dhe pozitive për ato private. Eksportet neto pritet të bien me 4.8%.
“Ne parashikojmë që në vitin 2022 të kemi 26.8% të të ardhurave ndaj GDP. Të ardhurat do realizohen, por ulet ndaj GDP, sepse është rritur GDP. Plani mbirealizohet deri në fund të vitit.”
3 pyetjet e fundit të Braçes, i referohen paketës së re fiskale ku ai kërkon të dijë taksat dhe sektorët qe do të goditen, pyetje së cilës ministrja nuk i përgjigjet duke thënë se do të shqyrtohen në prezantimin e Paketës së Re Fiskale.
Deputeti socialist pyeti ministren nëse do ketë huamarrje në 2021, sa dhe a do të jetë e garantuar.
Sipas Ibrahimajt, Eurobondi do të përdoret për balancë në 2022-shin dhe se vitin e ardhshëm nuk do të ketë një të tillë sepse rriten normat e interesit. Për 2022, sipas saj, do të ketë vetëm huamarrje të brendshme deri në 50 mld lekë, që është e qëndrueshme sipas Bankës së Shqipërisë.
Siç e cilëson Braçe, në “gjullurdinë” e PPP-ve, ai drejton pyetjen për shifrat që janë për t’u paguar, vlerën në total dhe një listë të kontratave të reja.
“Në bazë të Ligjit Organik, për PPP-të mund të paguajmë deri në 5% të të ardhurave të mbledhura në një vit. 13 kontrata janë që paguhen dhe për vitin 2021 kemi paguar vetëm 3% të të ardhurave tatimore, pra më pak, në shifra 14.5 mld lekë. Për 2022, parashikohen të paguhen 13.8 mld lekë”,- tha Ibrahimaj.
Ajo shtoi se nuk ka asnjë informacion për koncesionet e reja dhe se nuk dot ë ketë të tilla të mbështetura nga buxheti i shtetit. Ato që janë në listë, janë thjeshtë potenciale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.