Para

Ibrahimaj njofton plan ‘agresiv’ masash kundër parasë cash në 3 vitet e ardhshme

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e sapoemëruar e Ekonomisë dhe Inovacionit, njoftoi se qeveria do të nisë një plan “agresiv” masash për të reduktuar paranë e thatë në qarkullim, për 3 vitet e ardhshme.

Gjatë një konference për mediat, Ibrahimaj theksoi se lufta kundër cash-it është edhe një luftë kundër korrupsionit.

“Sa i takon parasë jashtë sistemit bankar dhe reduktimit të informalitetit ne do kemi plan agresiv masash për reduktimin e cash në ekonomi. Është plan 3-vjeçar i përgatitur nga qeveria që do miratohet në bashkëpunim me aktorët në treg, Bankën e Shqipërisë, sektorin bankar dhe të gjithë ata aktorë që janë pjesë dhe mund të japin kontribut në reduktimin e parasë cash në ekonomi. Ky plan përfshin një seri masash që do të zbatohen gjatë tre viteve të ardhshme me synimin për të luftuar ekonominë informale, për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe për të përmirësuar klimën e investimeve në vend. Reduktimi i parasë “cash” është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Dalja e Shqipërisë nga lista gri nga MONEYVAL para dy vitesh ishte një arritje, por tani na nevojitet një qasje më e strukturuar dhe afatgjatë për të garantuar besimin e investitorëve dhe për të ulur kostot financiare për bizneset që operojnë me tregjet ndërkombëtare. Shqipëria gjithashtu është bërë pjesë e sistemit SEPA, çka pritet të sjellë ulje të mëtejshme të kostove të transaksioneve financiare”, tha Ibrahimaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë