Ekonomi

Ibrahimaj në Japoni: Synojmë të tërheqim investimet japoneze, sidomos në infrastrukturë

Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ka treguar se një ndër synimet e qeverisë është tërheqja e investimeve japoneze në Shqipëri, sidomos atyre infrastruktuore.

Në një takim me homologun e saj në Japoni, Ibrahimaj tha se vitet e fundit ka pasur një interes të lartë të produkteve shqiptare nga ana e Japonisë për tregti, për eksporte.

Ministrja tha se Shqipëria ka një potencial të madh për investime në shumë sektorë strategjikë, si bujqësia, turizmi, energjia dhe manifaktura, ndërsa ka edhe potencialin gjeografik duke qenë në zemër të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përballë Europës.

Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë së Japonisë, Nishimura Yasutoshi,vlerësoi zhvillimin ekonomik të Shqipërisë në vite dhe rritjen e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, duke përmendur hapjen e ambasadës japoneze në Shqipëri në vitin 2017, nisjen e investimit të kompanisë Sumitomo në vitin 2019, hapjen e dhomës së tregtisë Japoneze në vendin tonë në 2020, etj.

Ministri japonez shprehu interesin për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve, si dhe atë të rritjes së investimeve japoneze në Shqipëri. Ai u shpreh po rrugëtimit të integrimit në Bashkimin Europian.

Takimi mes ministrave Ibrahimaj dhe Yasutoshi u zhvillua në kuadër të vizitës zyrtare që një delegacion i qeverisë shqiptare me në krye Kryeministrin Rama është duke zhvilluar në Japoni, në kuadër të 42 vjetorit të vendosjes zyrtare të Marrëdhënieve Diplomatike mes dy vendeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë