Nga Gazeta ‘SI’ – Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj, tha se në vitin 2023, pritet dalja e shtetit shqiptar në tregjet ndërkombëtare me një Eurobond me një vlerë 500 milionë euro, por vetëm nëse tregu është i favorshëm me normat e kthimit dhe afatin e maturitetit.
Në diskutimet mbi deficitin dhe buxhetin 2023, në komisionin e Ekonomisë, Ibrahimaj tha se nevoja për financim pritet të jetë 55 mld lekë, nga ku 25 mld do të vijnë nga huamarrja e brendshme.
Duke parashikuar huamarrje të suksesshme, ministrja tregon se në skenarët negative ku asnjëra nga financimet nuk do të funksionojë, qeveria do të emetojë SRD-të nga Fondi Monetar, me vlerë 180 milionë euro, të përfituara që nga koha e pandemisë.
Ajo tregoi se likuiditeti i Thesarit është i bollshëm për vitin e ardhshëm.
“Momentalisht është sfidë qëndrueshmëria e borxhit dhe likuiditeti për shërbimin e saj. Likuiditeti i Thesari është 70 mld lekë, i bollshëm për buxhetin e këtij viti dhe vitit të ardhshëm edhe në skenarë të këqij. Sasia e likuiditetit është element thelbësor për të përcaktuar sjelljen e investitorëve të huaj e të brendshëm në financim të borxhit”, shpjegoi ministrja.
Ajo theksoi dhe rrezikun e luhatjes së normave të interesit në tregjet e brendshme dhe të jashtme financiare, duke treguar e 35% e borxhit publik është i ekspozuar ndaj këtyre ndryshimeve, pjesa më e madhe, borxh i jashtëm. Po ashtu edhe riskun e mundësisë së reduktimit të kohës së rifinancimit, duke ushtruar më shumë presion ndaj buxhetit të vendit.
“51.3% është borxh i brendshëm dhe 48.7% i jashtëm. Pritet që për vitin 2023, borxhi të ulet në 67.5% të PBB-së, me një deficit buxhetor me limit 55 mld lekë. Kemi në fokus rritjen e jetëgjatësisë për të reduktuar riskun e rifinancimit”, -shpjegoi Ibrahimaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.