Nga Gazeta ‘SI’ - Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka lajmëruar se nga 1 prilli do të hyjë në fuqi rritja e pagës minimale në vend, me 6 mijë lekë.
Sipas ministres, paga minimale shkon në 40 mijë lekë dhe efekti duhet të nisë në muajin maj, si në sektorin privat dhe atë publik.
Lidhur me reagimet e ashpra të bizneseve për këtë vendim, sidomos atyre të mëdha, ministrja tha se ata do të ndihmohen nga shteti.
“Kjo ndihmë vjen në suport të atyre bizneseve që kanë një numër të lartë punonjësish. Numri i përafërt që përfitojnë nga kjo masë është rreth 30 mijë persona. Kjo mbështetje do të jepet të gjithë subjekteve për të mbështetur koston shtesë gjatë gjithë vitit 2023. Është një politikë që do të ndiqet në vijimësi nga qeveria shqiptare edhe për vitet në vijim, për të gjitha rritjet të pagës minimale të cilat do të jenë më të larta se sa rritjet normale që kanë qenë të zbatuara vitet e kaluara.
Ne synojmë që në vitet e ardhshme paga mesatare në vend të arrijë në nivelet e vendeve të rajonit dhe të bëhet konkurruese. Kemi qenë të kujdesshëm pasi nuk duam që t’i shtojmë kosto biznesit dhe kjo është arsyeja që subvencionojmë koston shtesë për kontributet e sigurimeve shoqërore. Kjo nuk lidhet me politika zgjedhore”.
Ajo njoftoi se një tjetër vendim i miratuar është pagesa e naftëtarëve të Ballshit me pagë minimale, për 6 muaj.
Pyetur nga gazetarët për Amnistinë Fiskale, Ibrahimaj tha se Amnistia “është pjekur” pasi është konsultuar me të gjithë aktorët vendas dhe është në proces me ndërkombëtarët. “Ne po punojmë për aktet nënligjore, që janë po aq të rëndësishme sa vetë drafti, për të garantuar zbatimin me transparencë dhe korrektësi Amnistinë. Por të gjitha këto, duan kohën e vet”, - mbylli fjalën e saj ministrja e Financave.
Ndërkohë Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, njoftoi po ashtu se në të njëjtin afat, do të rriten dhe pagat e ushtarakëve me 7%.
“Qeveria ka vendosur rritje të pagës prej 7%, hyn në fuqi menjëherë nga data 1 mars për të gjithë ushtarakët. Nga ushtaraku bazë deri në gradat më të larta. Çdo vit do të kemi rritje pagash deri sa ushtarakët tanë të keni një pagë mesataren të vendeve aleate të NATO-s. 55 mijë lekë është pagesa fillestare dhe plot 10 mijë lekë të reja që është trajtimi ushqimor. Nëse e krahasojmë pagën e sotme me atë të vitit të kaluar sot është 40% më e lartë. Kjo është një arsye më tepër që të rinjtë të bëhen pjesë e Forcave të Armatosura”, - tha ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.