Ministrja e Ekonomisë dhe Financave Delina Ibrahimaj deklaroi se qeveria aktualisht është në proces rishikimi të buxhetit për të dalë në përfundim se cilat kategori do të përfitojnë nëse do të ketë një paketë të dytë ekonomike.
“Ne jemi në procesin e rishikimit të buxhetit dhe analizës së të dhënave dhe treguesve sa i përket konsumit dhe të ardhurave të familjeve. Në përfundim do të dalim me paketën për ato kategori biznesesh dhe individësh që kanë më shumë nevojë për mbështetje”, tha ajo.
Ibrahimaj foli edhe për sektorët e ekonomisë që kanë pësuar më tepër rritje gjatë periudhës së krizës. “Ekonomia shqiptare është rritur edhe pse janë rritur çmimet. Kjo rritje ka ardhur e bazuar në qarkullimin e sektorëve. Qarkullimi i sektorëve ka qenë 13.5%. Ecuria pozitive e të ardhurave është ndikuar nga performanca më e mirë e mbledhjes së të ardhurave. Nga sot reforma e fiskalizimit ka përfunduar.
Biznesi i madh është 100% i fiskalizuar. Biznesi i vogël ka një numër të vogël që nuk kanë fiskalizuar ende. Këto janë biznese që prej muajsh nuk deklarojnë fitime dhe shumë shpejt do të kalojnë në status pasiv. Shpenzimet kanë arritur një total prej 213 mld lekësh. Dua të ndalem te të dhënat e punësimit të cilat për muajin mars numri i vendeve të punës ka qenë 2% më i lartë se shifrat e vitit të kaluar. Në fund të muajit korrik do kemi një shifër të përditësuar. Papunësia për grupmoshën 15-vjeç e sipër ka ardhur në ulje”, u shpreh ajo.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.