Taksa

Ibrahimaj: Drafti i tatimit mbi të ardhurat dhe ai i Amnistisë, s’janë të përfunduara. Po gjurmojmë paranë jashtë bankave

Nga Gazeta “SI”- Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj duke iu përgjigjur pyetjes së Gazetasi.al gjatë konferencës për shtyp, tha se projektligji i tatimit mbi të ardhurat për profesionet e lira dhe ai i Amnistisë Fiskale janë ende në konsultim dhe nuk ka një draft final apo vendimmarrje për to.

“Për sa kohë konsultimi nuk ka përfunduar ende, nuk kemi një draft përfundimtar” -tha Ibrahimaj.

Në përgjigje të pyetjes, se mbi cilat kritere u vendos përqindja e tatimit të shumave që do të deklarohen në Amnistinë Fiskale, (7% dhe 10%), ministrja tha vetëm se janë marrë shembull nga modelet më të suksesshme të këtij ligji duke rikujtuar se vendimi mbi këtë projektligj nuk është marrë ende. Ajo theksoi edhe se kjo Amnisti është ndryshe nga ajo e vitit 2017.

Më tej ministrja tha se është e vështirë për të analizuar një dukuri që nuk ka ndodhur më parë.

“Ne po bëjmë një analizë me Bankën e Shqipërisë, për paranë që qarkullon jashtë bankave, me qëllimin e një vlere të përafërt, por kjo nuk ka mbaruar ende”,-mbylli fjalën e saj në konferencë ministrja.

Lidhur me mundësitë e pastrimit të parave nga përfituesit e Amnistisë Fiskale, Ibrahimaj tha se gama e gjerë e subjekteve që janë të përjashtuar nga Amnistia do të eliminojnë maksimalisht mundësinë e pastrimit të parave me anë të Amnistisë, ata që më herët ishin subjekt i OFL-së.

Ndërkohë, në projektligjin e publikuar në proces konsultimi, theksohet se të përjashtuarit janë të gjithë individët që cilësohen nënpunës publikë, të cilët e kanë detyrim ligjor të deklarojnë pasurinë, ku përfshihen politikanët dhe drejtues të institucioneve shtetërore.

Sipas projektligjit, nga ai përjashtohen edhe individë me precedentë penale që tashmë janë në kërkim apo nën akuza.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë