Ministrja e Financave Ibrahimaj dhe Guvernatori i Bankës Gent Sejko pas një takimi që patën sot njoftuan se ekonomia e Shqipërisë nuk është e rrezikuar nga konflikti Rusi-Ukrainë.
Nga një vlerësim makroekonomik dhe teste në terren, Ministrja tha se nuk ka konstatuar rreziqe të shtuara dhe kjo sepse ekonomia e Shqipërisë nuk është e lidhur ngushtë me tregjet e dy vendeve në konflikt.
“Do të vijojmë monitorimin e kujdesshëm të situatës, për të parandaluar dhe minimizuar çdo efekt negativ, që mund të prek sektorët kryesorë të ekonomisë shqiptare. Do të kujdesemi që të mos ketë mungesë oferte në treg për grurin dhe nënproduktet e tij”,- shkruhet në deklaratë nga Ministria e Financave.
Sipas Bankës, ndikimi i këtij konflikti në ekonominë botërore ka filluar të jetë i dukshëm, si në drejtim të rritjes së çmimeve të disa artikujve bazë, ashtu dhe në drejtim të rritjes së pasigurisë së investitorëve dhe të tregjeve financiare.
Ndërkohë, Rusia dhe Ukraina janë ndër burimet kryesore të importit të grurit në vendin tonë, por efektet do të ndihen pas një muaji kur të nisë furnizimi i ri me këtë produkt.
Kështu u shpreh një nga importuesit e grurit, Adi Haxhiymeri i cili theksoi se rasti i konfliktit në Ukrainë tregoi se kompanitë janë të varura nga importi, duke u detyruar të gjejnë burime të tjera furnizimi me çmime ekstremisht të larta.
Më tej ai shtoi rritja e çmimit këto ditë nuk ka lidhje me konfliktin sepse mielli ka qenë i importuar me tarifat e paraluftës.
Po ashtu pritet një rritje e mëtejshme naftës dhe gazit për shkak të lëvizjeve në bursë, me furnizues kryesor Rusinë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.