Të gjitha bizneset me numër të lartë të punësuarish duhet me detyrim të punësojnë persona me aftësi të kufizuar.
Kështu deklaroi pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cila tha se ky ndryshim ishte miratuar në ligjin për nxitjen e punësimit.
“Ka për qëllim vendosjen e barazisë për çështjet sociale. Në zbatim të një neni të veçantë që lidhet me fondin social të punësimit, të gjithë bizneset me numër të lartë të punësuarish duhet me detyrim të punësojnë persona me aftësi të kufizuar.
Kjo nuk kufizohet vetëm në biznese por bëhet fjalë për të gjithë punëdhënësit që kanë numra të lartë punësuarish”, tha Ibrahimaj ndërsa shtoi se më tej do të ketë dhe një procedurë ku do të shpjegohet se si do të veprohet për deklarimin e punonjësve.
“Procedura do të jetë aktive që nga janari 2024. Do i japim kohë qoftë administratës tatimore, qoftë bizneseve për t’u përshtatur me zbatimin e këtij ligji. Qoftë entet publike, qoftë ato private do duhet të punësojnë persona me aftësi të kufizuar, ose të paguajnë me kontribute sa paga minimale për çdo person që nuk marrin në punë me aftësi të kufizuar”, tha Ibrahimaj.
E pyetur nëse do të shfuqizohet Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve, ajo tha se është duke u diskutuar në Gjykatën Kushtetuese.
“Në fakt Bordi i Transparencës për çmimet e karburanteve është duke u diskutuar në Gjykatën Kushtetuese. Ka patur një seancë të parë, pritet një seancë e dytë dhe në bazë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese ne do veprojmë. Megjithatë unë i qëndroj asaj që kam përsëritur gjatë vitit të kaluar që ndërhyrja e qeverisë në vendosjen e çmimeve të karburanteve ishte një ndërhyrje e detyruar nga kushtet në të cilat ndodheshim.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.