Futboll

Ibra ‘modest’: Jam ende numri 1, kthehem dhe e ndryshoj muzikën te Milani

Gazeta Si – Sulmuesi suedez është i karikuar, gati të udhëheqë Milanin të dalë nga kriza. Ai kthehet pas dëmtimit të gjatë: “Mbetem numri 1, kam pasur durim, sepse doja të kthehesha në top-formë. Rikuperimi po shkon sipas planeve”.

Në pritje për ta parë në fushë, ndoshta që të premten ndaj Torinos, Ibrahimoviç duket se nuk e ka humbur vlerësimin për veten si në kohët më të mira. “Jam akoma Zoti, jam ende numri 1, tani kthehem dhe e ndryshoj muzikën”, – ka thënë ai, duke iu referuar krizës së lojës dhe rezultateve të Milanit.

Ibrahimoviç feston nje gol me fanellen e Milanit. Gazeta Si, 8 shkurt 2023

Ibra mbetet po ai. U pëlqen kështu njerëzve që u pëlqen. Duke folur për ‘Sportmediaset’ ai është dukur më i karikuar se kurrë: “Kam shumë dëshirë, dua të bëj shumë gjëra, atë që kam humbur në këto 7-8 muaj. Kam humbur kohë”.

Për tunelin e errët ku është futur Milani, Ibrahimoviç ka theksuar: “Kriza? Nuk jam i shqetësuar, janë momente normale gjatë një kampionati. Tani duhet të flasim pak dhe të tregojmë në fushë vlerat tona”.

Fjalë të denja për një lider si Ibra, sidomos jashtë fushe. “Është normale të kritikohesh, – thotë më tej suedezi, – sepse po nuk të kritikuan, nuk je në top. Më kritikojnë prej 25 vitesh, sepse jam numri 1, jam mësuar. Është si t’i hedhësh benzinë zjarrit dhe kur bën shaka me zjarrin, digjesh. A ndihem më Zot? Sigurisht, nuk ndryshon asgjë”.

Pastaj veterani ka folur edhe për skuadrën: “Leao ka bërë një vit fantastik, ka fituar çmimin e lojtarit më të mirë të kampionatit. Pastaj është kontrata, klube që të kërkojnë, Botërori e me radhë. Ai duhet të përqendrohet te futbolli. Çdo gjë zgjidhet. Është më i fortë, por tani e dinë të gjithë kush është dhe kanë më shumë kujdes ndaj tij.

De Ketelaere? Ka presion të madh për shkak të çmimit që u ble, të gjithë kanë pritshmëri. Është talent, ka potencial të madh, vetëm duhet të gjejë rrugën e duhur që të rritet. Vetëm duhet të zhbllokohet”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë