Futboll

Ibra feston 40-vjetorin 2 ditë para, “basti” i radhës është Botërori i Katarit

Futbollisti suedez ka bërë në Milanelo festën e 40-vjetorit të lindjes. Një festë e organizuar dy ditë para kohe, sepse Ibrahimoviç dëshironte që të ishin të gjithë të pranishëm për urimin e rastit, nga shokët e skuadrës te të gjithë punonjësit e klubit, deri te magazinierët.

Zllatan Ibrahimoviç festoi të premten për të mos i shpërqendruar shokët nga transferta delikate me Atalantën në Bergamo. Milani i ka dhuruar një tortë 22 kilogramë, pa asnjë qiri dhe me shkrimin “Always IZ” (gjithmonë Ibrahimoviç Zllatan”). Suedezi, ende jashtë skuadrës për shkak dëmtimi, ka pohuar për “Corriere della Sera” se do të rinovojë edhe për një sezon, pasi synon të marrë pjesë në Botërorin e Katarit, pastaj do të marrë një rol drejtuesi në klub.

Zllatan Ibraimoviç. Gazeta Si, 2 tetor 2021

Në tortë ishin vendosur edhe 500 luleshtrydhe për të festuar numrin e golave të sulmuesit. Një festë e ëmbël për fenomenin suedez, që për të dytin vit radhazi nuk është në gjendje të luajë ditën e pervjetorit. Vitin e kaluar, ditën e 39-vjetorit të lindjes, ishte në karantinë dhe për të ngushëlluar veten bleu një “Porsche 911 Targa 4S Heritage Design”, e prodhuar në vetëm 992 ekzemplarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë