Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Gjergj Gjinin, autorin e plagosjes së 43-vjeçarit Hil Gjini, ngjarje e ndodhur mëngjesin e së martës në Balldre të Lezhës.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura 69-vjeçari ka thënë se ka pasur konflikte të vazhdueshme me Hil Gjinin, por i kishte zënë pritë për ta trembur, pa pasur qëllim që të qëllonte me armë ndaj tij.
Ndërsa avokati i 69-vjeçarit Petrit Mhilli kërkoi një mase më të butë ndaj klientit të tij me pretendimin se ka probleme shëndetësore me zemrën.
Por kërkesa e palës mbrojtëse nuk u mor parasysh nga gjykata e cila referuar provave të paraqitura nga prokuroria Arben Agovi e cilësoi të ligjshëm arrestimin e tij, duke vendosur masën e sigurisë arrest me burg.
Ndërkohë vendimi i Gjykatës së Lezhës pritet në ankimohet nga pala mbrojtëse në Gjykatën e Apelit në Shkodër.
69-vjeçari Gjergj Gjini i zuri pritë dhe qëlloi me armë ndaj fqinjit të tij Hil Gjini, teksa ky i fundit po dërgonte fëmijët në shkollë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




