Nga Gazeta Si- Shoqata Shqiptare e fizioterapisë kërkon të ndahet nga Urdhri i Infermierit. Fizioterapia është futur të infermieria paraprakisht, pa qenë një profesion i rregulluar, ku licenca merrej vetëm me anë të kurseve dhe trajnimeve. Në 2006 është hapur bachelor i parë në universitet por ligji nuk ka ndryshuar, duke bërë që Shqipëria të jetë vendi i vetëm në BE që nuk ka një Urdhër Fizioterapie.
Problematikën e kanë ngritur anëtarët e Shoqatës së fizioterapisë në Komisionin e Edukimit, ku kishin seancën e parë dëgjimore në kërkesën e tyre për të dalë në një Urdhër të tyrin.
Faton Daci, kryetari i shoqatës tha në komision se Urdhri i Infermierit nuk e përfshin askund fizioterapinë, edhe pse është pjesë e saj.
“Urdhri nuk përfshin as kodin deontologjik të fizioterapisë (një bashkësi principesh dhe rregullash që profesionisti është i detyruar t’i njohë dhe t’i respektojë gjatë ushtrimit të detyrës), nuk ka as përshkrim minimal se çfarë është fizioterapia”, tha Daci, i cili shtoi se problematikë e madhe është edhe mungesa e krediteve.
Në gjithë këto vite, fizioterapistët e kanë marrë licencën dhe e kanë rinovuar atë vetëm duke paguar një kuotë të caktuar monetare, pa kërkuar kreditë, siç ndodh me profesionet e tjera.
Fizioterapistët thanë në komision se nuk kanë një mbështetje financiare për të organizuar konferenca apo takime, çka i bën të jenë ndryshe nga kolegët e tyre në Europë.
“Problematika kryesore është numri i publikimeve shkencore. Fizioterapistët në Shqipëri kanë zero publikime pikërisht sepse nuk kanë financime nga Urdhri i infermierit”, tha një nga përfaqësuesit e Shoqatës.
Gjithashtu, sipas anëtarëve të Shoqatës, ka një mungesë kontrolli nga Urdhri, çka ka bërë që të “lulëzojë” puna informale e personave që abuzojnë, duke ndikuar shpesh herë edhe në shëndetin e qytetarëve.
Fizioterapistët kërkojnë autonomi që më pas të ketë kontroll mbi shërbimin që japin.
“Ndarja e fizioterapistëve profesionistë nga fizioterapistët që vetëshpallen është shumë e nevojshme. Ka problematika që ne i dëgjojmë shumë shpesh, ku pacientët trajtohen tek fizioterapistë që nuk kanë asnjë formim apo kanë marrë një licencë nga një trajnim disa ditor”, tha një nga anëtarët e Shoqatës.
“Duhet kontrolluar puna e fizioterapistëve dhe kjo bëhet duke krijuar një urdhër më vete”, tha një tjetër anëtar, duke shtuar se tek Urdhri i Infermierit u mungon identiteti profesional, nuk ka një numër të saktë, një databazë të profesionistëve të licensuar nga to si dhe mungon kontrolli i standardit të punës.
Në Shqipëri ka mbi 5 mijë fizioterapist dhe pikërisht për këtë, edhe Komisioni Europian ka kërkuar disa herë themelimin e Urdhrit të Fizioterapistëve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




