Futboll

I vetmi që nxorri Mesin jashtë. Kush është Vilalibre, “Bualli i Guernikas”

Çfarë mbrëmjeje! Hyn në fushë 7 minuta para fundit të finales, skuadra e tij është disavantazh, barazon në të 90-ën, pastaj lufton ashtu siç ai di të bëjë, me zemër dhe me pak dinakëri. Në dy pjesët e shtesave është shpesh i shtrirë në fushë, duke fituar sekonda, sepse shoku i tij, Inaki Uilliams, ka shënuar golin e avantazhit. Barcelona kërcënon, por ai është “Bualli” dhe nuk trembet. Fiton kohë dhe një hap larg fundit i jep një dorë skuadrës, duke nxjerrë jashtë Lionel Mesin.

Vilalibre, Uillims dhe De Markos. Gazeta Si, 18 janar 2021

Është sulmues zone, por di edhe të mbrojë, e përqafon Mesin, e tërheq nga fanella, i qëndron sipër, duke e nervozuar në maksimum dhe Leo gabon dhe e godet me shpullë. Arbitri nuk e vë re, por VAR-i po, kështu që Lionel Mesi merr kartonin e parë të kuq në 753 ndeshje me fanellën e Barcelonës. Dhe ja ku vjen fundi, Atletiko Bilbao fiton Superkupën e Spanjës, duke mundur Realin e Madridit dhe Barcelonën.

Duhet festuar si duhet dhe ai është gati: shkon merr trombën e argjendtë që e kishte marrë me vete nga Bilbao, pret që shokët të formojnë një rreth dhe fillon t’i bjerë aty, në mes të fushës. Një kor që është kthyer në një himn. Një himn lumturie, një imazh që do të mbetet gjithmonë në historinë e një klubi unik dhe të lavdishëm.

Festa e Atletikos me trombën e Vilalibre. Gazeta Si, 18 janar 2021

Asier Vilalibre është 23 vjeç, ka shkuar në Lezama, fidanishtja mitike e Atletiko Bilbaos, kur ishte 12. “U rrita para të tjerëve, isha më i bëshëm nga shokët dhe nga kundërshtarët. I karikoja lojtarët kundërshtarë të luanin fort ndaj meje dhe trajneri im në atë kohë, Txus, më quajti ‘Bualli’. Më mbeti ky emër dhe nuk më vjen keq, përkundrazi”, – ka treguar Vilalibre, i njohur si “Bualli i Guernikas”, vendi ku ka lindur.

Me moshat ka bërë hapa të rëndësishëm, ka shënuar shumë gjithmonë, por kalimi në skuadrën e parë ishte i lodhshëm, plot pengesa. Iu bashkua Atletikos sezonin e shkuar, kur gjithsesi ishte sulmuesi i 5-të në skuadër, pas Uilliams, Raul Garsias, Aduritz dhe Kodro. “Bualli” ka luajtur pak, por shpirti që shfaq në fushë dhe dashuria e sinqertë për klubin bëjnë që kjo të mos jetë një problem. Mund të shkonte te Barcelona B, por në fund preferoi të qëndronte aty ku është rritur.

Dhe ka pasur të drejtë, sepse mund të kishte humbur një pjesë të historisë së Atletiko Bilbaos, aty ku janë miqtë e tij, si Vesga, Dani Garsia, Balenziaga, Lekue dhe De Markos, me të cilët bën pjesë në një grup të quajtur “Orsai”, pozicioni jashtë loje në gjuhën futbollistike spanjolle. Vilalibre është edhe këngëtar, edhe pse nuk di të këndojë.

Vilalibre dhe grupi i përbërë nga lojtarët e Atletiko Bilbaos. Gazeta Si, 18 janar 2021

Miqve iu pëlqente imazhi i tij, mjekra e tij, e konsideronin imazhin perfekt për grupin “Orsai”. Ai pranoi dhe kështu alternon zërin me trombën. Siç bëri mbrëmjen e së dielës në Sevilje kundër Barcelonës: këndoi me golin e barazimit që e çoi Atletikon në shtesë, pastaj sapo fitoi kupën, kaloi te tromba. Çfarë mbrëmjeje!


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë