Ka ndodhur

I vendosën tritol në makinë, 57-vjeçari në Konispol e pikas gjatë lëvizjes

Gazeta Si – Një atentat me tritol është parandaluar mbrëmjen e të enjtes në Vrinë të Konispolit. Sipas njoftimit zyrtar, Mirash Gjikola, 57 vjeç, ka njoftuar Policinë e Sarandës se, teksa ishte duke lëvizur me automjetin e tij, në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës”, në aksin Shëndëlli-Vrinë, ka dëgjuar zhurma të pazakonta në mjet. Pas ndalimit, ai ka konstatuar praninë e një sasie lënde të dyshuar eksplozive.

Menjëherë drejt vendngjarjes janë nisur forca të shumta të policisë, ndërsa më pas janë përfshirë edhe ekspertë të krimeve të rënda nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, si dhe reparti anti-eksploziv i RENEA-s.

Nga të dhënat paraprake, mësohet se në automjetin tip “Nissan”, me targa AA 725 LG, është konstatuar një sasi lënde eksplozive e vendosur në pjesën e pasme të mjetit. Shpërthimi dyshohet se do të aktivizohej me telekomandë.

Ekspertët janë duke punuar për neutralizimin e plotë të lëndës eksplozive, ndërkohë që zona është rrethuar dhe janë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë