Ka ndodhur

I vendosën lëndë shpërthyese sapo ndezi makinën, plagoset vëllai i kreut të bandës së Mirditës i zhdukur prej 20 vitesh

Gazeta Si - Një 47-vjeçar në Mirditë ka mbetur i plagosur, pasi në makinë e tij i kishin vendosur lëndë shpërthyese.

Sapo ka ndezur makinën, lënda ka shpërthyer në pjesën e pasme të mjetit, duke lënë të plagosur drejtuesin Lodovik Syziu, vëllai i kreut të bandës së Mirditës, Dritan Syziu, i zhdukur prej 20 vitesh dhe autor i dyshuar i disa ngjarjeve kriminale në vitin 1997.

Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur sapo Ledovik Syziu ka ndezur makinën ku në pjesën e pasme të mjetit ka patur një shpërthim. Syziu ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

“Për pasojë shtetasi Ledovik Syziu, është dëmtuar dhe po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Mirditës jashtë rrezikut për jetën”, njoftoi policia.

Menjëherë në vendin e ngjarjes ka shkuar grupi hetimor. Nga veprimet e para, policia dyshon se ka shpërthyer lëndë artizanale.

Megjithëse nuk ka asnjë precedent penal, burime nga policia bëjnë të ditur se Ledovik Syziu, 47 vjeç njihej si problematik në fshatin e tij.

Prandaj policia po heton nëse ka pasur ndonjë konflikt të kohëve të fundit mes tij dhe ndonjë banori të zonës.

Ndërkohë janë thirrur për t’u marrë në pyetje edhe familjarë të tij me qëllimin për të mësuar për ndonjë incident që mund të ketë patur i plagosuri.

Në dëshminë e parë të dhënë pasi ka marrë ndihmën mjekësore, Syziu ka deklaruar se nuk ka asnjë dijeni për autorët apo shkaqet.

Të njëjtat burime bëjnë me dije se Ledovik Syziu ka një vëlla të zhdukur që prej vitit 1997, i cili është i dyshuar si autor i disa ngjarjeve në atë periudhë trazirash.

Ledovik Syziu është vëllai i kreut të bandës së Mirditës, Dritan Syziu, një nga 50 personat më të rrezikshëm në Shqipëri.

I dyshuar si autor i disa ngjarjeve në Mirditë në vitin 1997, prej tij prej gati rreth 20 vitesh nuk ka asnjë gjurmë.

Ai njihet nga të gjithë si kreu i bandës së Mirditës. Syziu është dënuar me burgim të përjetshëm, pasi për një ngjarje që ka ndodhur më 28 qershor të vitit 2000, ku mbeti i vrarë punonjësi i policisë, Gjon Paçuku. Këtë vrasje ai e ka kryer në bashkëpunim me 5 persona të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë