Gazeta Si – Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pezulluar me 3 muaj gjyqtarin e Elbasanit Taulant Tafa për shkelje disiplinore.
Ai kishte kërkuar shkurtimin e gjykimit me dy vite ndaj Arben Grorit, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Naim Zyberit në Itali.
Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë kishte kërkuar shkarkimin nga detyra të Taulant Tafës, por KLGJ e shpëtoi magjistratin vetëm një pezullim.
Përveç masës pezullim 3-mujor nga detyra, gjyqtari do të marrë një rrogë minimale gjatë kësaj periudhe.
Në notën informuese të ILD-së, thuhet se në vendimin e dhënë për Grorin, Tafa ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë doli në përfundimin se janë konstatuar veprime/mosveprime të kryera në kundërshtim me ligjin “Për trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve” i ndryshuar, të cilat kanë sjellë si pasojë të drejtpërdrejtë përfitimin e padrejtë të uljes së dënimit në masën 720 ditë për të dënuarin me burgim të përjetshëm (A.G.), si dhe cenimin e prestigjit të magjistratit në veçanti dhe cenimin e besimit të publikut te drejtësia.
Sipas hetimit të ILD-së, në dhënien e vendimit magjistrati nuk i është referuar fakteve në aktet e dosjes, por ka parashtruar në mënyrë të dukshme fakte dhe rrethana të shtrembëruara vetëm për t’iu përshtatur plotësimit të kërkesave formale ligjore.
Në analizën e vendimmarrjes 4-vjeçare të magjistratit (2017-2021), me objekt ulje dënimi, Inspektori i Lartë i Drejtësisë ka konstatuar se ndryshe ka vepruar gjyqtari në dhënien e 155 vendimeve të tjera, ku në 7 kërkesa nga të dënuar me “Burgim të përjetshëm” janë respektuar kriteret formale ligjore.
Arben Grori, është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në Itali.
Një vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e Apelit po në Milano.
Ai u gjet fajtor për vrasjen e Naim Zyberit (vrasësi i vëllait të tij në kryeqytet, Artur Grori), në një spital në Milano, ku ndodhej i shtruar.
Vendimi i fajësisë dhënë nga drejtësia italiane, është njohur më pas nga gjykatat shqiptare dhe prej shumë vitesh ai ndodhet në burg.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




