Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sulmuar prokurorinë, pasi sipas tij “nuk reagojnë shpejt kur nuk bëhet fjalë për Lëvizjen Vetëvendojse”, por “reagojnë shpejt kur Vetëvendosje bën ndonjë gabim të aluduar procedurial”.
Kreu i qeverisë kosovare i quajti prokurorët e Kosovës, “kërmij”, dhe “lepuj”.
Në KTV, Kurti tha se “11 ministri kanë dorëzuar 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim”. Por, ai pretendon se Prokuroria nuk po vepron.
“Me këtë rast, ajo çfarë unë mund të konstatoj është që kur vjen puna te kërkesat tona për hetim dhe kallëzime penale, prokuroria veprojnë si kërmij, ndërsa nëse del në ndonjë portal ndonjë shkelje procedurale e ndonjë ministri apo ndonjë aludim, nga kërmij të ngadalshëm shndërrohen në lepuj të shpejtë. Nuk ka aktakuza, nuk ka epilog”, ka thënë Kurti.
Kurti ka vendosur që të mos i përgjigjet kërkesës së Prokurorisë Speciale për t’u pyetur si dëshmitar. Ai përmendi Kryeprokurorin e prokurorisë speciale Blerim Isufajn, i cili nuk pranohet për kryeprokuror nga Qeveria dhe Presidenca, megjithëse është zgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Kurti tha se beson se nëse Isufaj bëhet kryeprokuror atëherë nuk ka shpresë për drejtësinë.
Pas akuzave të forta të kryeministrit të Kosovës, kryeprokurori Isufaj ka paralajmëruar një konferencë për shtyp ditën e hënë.
“Ju njoftojmë se të hënën, 30 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 13:00, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, do të mbajë konferencë për media”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.