Gazeta Si – Selami Brahimi, i cili i shpëtoi për mrekulli një atentati me armë zjarri mbrëmjen e të enjtes në Shkodër, ka treguar se nuk ka parë asnjë nga autorët.
Në dëshminë e tij të dhënë për policinë, 60-vjeçari ka thënë se nuk ka asnjë problem me askënd dhe për rrjedhojë nuk e di kush mund të jenë autorët.

“Unë sapo lashë mbesën time tek një punonjës që është afër picerisë. Sapo jam ulur poshtë më kanë qëlluar. Kam shpëtuar për mrekulli sepse në atë moment jam kthyer dhe plumbi më kapi fytyrën sepse ndryshe mund të më kishin qëlluar në kokë. Nuk kam arritur që të shoh asgjë. Nuk kam asnjë problem me askënd dhe nuk e di kush mund të jenë autorët. Po ashtu nuk kam arritur që të shoh asnjë makinë apo mjet tjetër të autorëve. Nuk kam pasur asnjë kërcënim apo problem ndaj nuk e kam idenë se kush më ka qëlluar dhe për çfarë arsye”, mësohet të ketë thënë i plagosuri.
Mësohet se në drejtim të tij është qëlluar rreth 10 herë me breshëri kallashnikov, por vetëm një plumb e ka kapur në pjesën e fytyrës.
60 vjeçari i është nënshtruar një ndërhyrje, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën nën kujdesin e mjekëve.
Automjeti nga i cili qëlluan autorët ka lëvizur nga zona e Parrucës në drejtim të lagjes “Xhabiej” dhe pasi qëlluan me armë zjarri u larguan në drejtim të daljes së Shkodrës ndërsa policia po gjurmon lëvizjet e makinës.
Në Shkodër janë shoqëruar disa persona ndërsa po zhvillohen të tjera kontrolle nga forcat RENEA.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




