Drejtësia

I shërbente Erion Alibeajt, SPAK kërkon 2.8 vite burg për ish-shefin e krimeve të Elbasanit

Gazeta Si – Prokuroria e Posaçme kërkon  që ish-shefi i krimeve në Policinë e Elbasanit Leonard Palushi të dënohet me 2 vite e 8 muaj burg.

Ai dyshohet se nëpërmjet ryshfetit ka devijuar hetimet për dy ngjarje në Elbasan, për llogari të Erjon Alibejt, në këmbim të devijimit të hetimit të vrasjes së Emiliano Ramazanit.

Palushi u arrestua pas deklarimeve të bëra nga bashkëpunëtorët e drejtësisë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj.

Ai dyshohet se shiste informacione tek grupet kriminale dhe dekonspironte operacionet e policisë.

Sipas SPAK, në vitin 2020, Palushi ka krijuar raporte me të hetuarin Erjon Alibej dhe ka marrë tërthorazi prej tij përfitim të parregullt.

Palushi akuzohet orientim të gabuar të hetimit duke shpërdoruar detyrën lidhur me vrasjen e Emiljano Ramazanit.

Për vrasjen e tij, u arrestuan 4 persona, mes tyre edhe babë e bir, A. dhe S. Manahasa nga Peqini, pasi u dyshua se në servisin e tyre u gjet e njëjta armë zjarri e përdorur në krim.

Por nga ana tjetër, sipas Nuredin Dumanit, vrasja ishte kryer nga Skerdi Tase dhe Henrik Hoxhaj me porosi të Erjon Alibejt.

Ky i fundit, porositi vrasjen, pasi kishte informacione se Ramazani kishte bashkëpunuar në atentatin që iu bë vëllait të tij, Endrit Alibej në Elbasan tre vjet më parë, ku humbën jetën edhe dy persona të tjerë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë