Gazeta Si – Ajola Xoxa, bashkëshortja e kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, kërkon kthimin e aparatit celular të sekuestruar në kontrollet e para nga SPAK në datën 6 dhjetor në kuadër të hetimit pasuror ndaj saj,
Gjyqtari Erion Bani do të shqyrtojë kërkesën e saj këtë të hënë në seancën e cila do të mbahet ne orën 13:00 me dyer të mbyllura.
Për bashkëshorten e kryebashkiakut të Tiranes, GJKKO zbuti masën nga arrest në shtëpi në detyrim paraqitje. Nuk dihet nëse Xoxa do të paraqitet personalisht apo do të përfaqësohet nga avokati i saj.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë la në fuqi masën e sigurisë më 12 Shkurt për Erion Veliajn.
Gjyqtari Erjon Bani, në atë seancë ndryshoi vetëm masën e bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxës, nga arrest shtëpie në detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.
Për këtë çështje në arrest në burg vijon të qëndrojë edhe biznesmeni Elman Abule, ndërsa 5 biznesmenë të tjerë kanë masën “detyrim për t’u paraqitur”.
Në lidhje me arrestimin e tij, Veliaj ka reaguar duke e cilësuar procesin të orkestruar. Në një deklaratë të publikuar nga burgu, Veliaj pretendon se hetimet ndaj tij janë të mbështetura mbi fakte të fabrikuara dhe se arrestimi i tij është një pengmarrje pa gjyq.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.