Ka ndodhur

I riu goditet me sende të forta në mes të ditës në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë

Gazeta Si – Një 32-vjeçar u dhunua këtë të mërkurë në Krujë në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë. Policia tha se D.P., u godit me sende të forta nga persona ende të paidentifikuar dhe për shkaqe momentalisht të paqarta. Ai është transportuar drejt spitalit për ndihmë mjekësore, ndërsa autoritetet kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

“Më datë 13.09.2023, në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, një shtetas ende i paidentifikuar, ka goditur dyshohet me sende të forta, shtetasin Dorjan Përdoda, 32 vjeç, i cili si pasojë është dëmtuar dhe po dërgohet në spital, për ndihmë mjekësore. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të konfliktit dhe identifikimin e shtetasit tjetër të përfshirë”, thuhet në një njoftim të policisë.

Nga burime paraprake, mësohet se i riu nga Lezha po udhëtonte në drejtim të Tiranës, kur 2 automjete i kanë prerë rrugën duke i dalë njëra para, tjetra pas dhe prej tyre kanë dalë rreth 7 persona, duke e dhunuar në pjesë të ndryshme të trupit.

Mësohet se 32-vjeçari është dëmtuar në shpatull, brinjë dhe është çarë edhe në kokë për shkak të goditjeve me sende të forta. Policia tha se po heton për zbardhjen e ngjarjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë