Gazeta Si - Në natën e pabesueshme në Frankfurt, Diogo Costa “i vodhi” skenën të gjithëve. Me një pritje ndaj Seskos, pesë minuta para goditjes së penalltive pas kohës shtesë dhe tre 11-metërshave të pritura më pas, ai u bë protagonisti absolut i këtyre 1/8-ave të Euro 2024.
Me pritjet e tij, kualifikoi Portugalinë në çerekfinale (do të sfidojë Francën, që nuk dukej vërtet bukur) dhe eliminoi një Slloveni të habitshme dhe të guximshme.
“Sekreti ynë është vetë Diogo”, tha trajneri Roberto Martinez, i cili rrezikoi shumë, por që në fund komplimentoi portierin e tij 24-vjeçar.
“Ai është sekreti i fshehur më së miri në futbollin europian dhe kundër Sllovenisë u shfaq në një nivel tjetër, ishte i jashtëzakonshëm në përballje një kundër një. Më pas kishte përqendrimin dhe cilësinë për të shpëtuar tre penallti radhazi. Duhet të jemi shumë krenarë. Jemi mirë, tani është koha të përgatitemi për ndeshjen kundër Francës. Ajo kundër Sllovenisë ishte një fitore për të gjithë tifozët dhe ne nuk do të ndalemi”.
Diogo Costa nuk shpëtoi vetëm Portugalinë, por edhe Cristiano Ronaldon, i cili në kohën shtesë pati një penallti të pritur nga Oblak, duke shpërthyer në lot të pangushëllueshëm dhe më pas u rikthye të godasë sërish pas 120 minutave lojë, duke mos dështuar.
CR7 i detyrohet gjithçka Diogo Costa-s, një portier i rritur në ekipin e të rinjve të Portos. Ai është një specialist i vërtetë i penalltive: në të kaluarën kishte pritur tre herë radhazi në fazën e grupeve të Champions League.
Së pari ndaj Demirbay-t i Bayer Leverkusen-it dhe më pas dy në të njëjtën ndeshje, kundër Bruges, ndaj Vanaken dhe Lang. I lindur në Zvicër nga prindër portugezë, Diogo Costa u kthye në Portugali kur ishte vetëm shtatë vjeç.
Me Porton, pasi përfundoi të gjitha fazat e të rinjve, ai debutoi më 19 tetor 2019 në një ndeshje të Kupës së Portugalisë.
Deri më tani ai ka bërë 154 paraqitje për klubin dhe 25 për Portugalinë, duke fituar 11 trofe mes klubit dhe kombëtares.
Diogo ka treguar cilësitë e tij edhe si i ri, duke fituar Kampionatin Evropian U-17 në finale kundër Spanjës me penallti në vitin 2016 dhe Ligën e të rinjve në sezonin 2018-2019, duke mposhtur Chelsea-n.
Por kujdes: Diogo Costa ka një rekord të madh. Sipas të dhënave të “New York Times”, në fakt, numri 22 i Portugalisë ka shpëtuar 13 nga 42 penallti me të cilat është përballur në karrierën e tij, pothuajse një në tre.
Një statistikë dukshëm mbi mesataren që sipas gazetës spanjolle “As”, është rreth 18%. Me Slloveninë, ai priti goditjet nga Iliçiç, Balkovec dhe Verbiç, duke e vendosur Portugalinë në tetë më të mirat. Mbappé me shokë janë paralajmëruar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.