Ka ndodhur

I premtoi para një personi për t’i blerë votën për 50 mijë lekë, arrestohet 38-vjeçari në Lushnjë

Gazeta Si – Tre ditë nga nisja zyrtarisht e fushatës elektorale për 11 majin, shënohet arrestimi i parë për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Një 38-vjeçar në Lushnjë, i identifikuar si Marin Leka është arrestuar, pasi akuzohet se i kishte premtuar një shumë parash një personi për t’i blerë votën në favor të një subjekti politik në zgjedhjet e 11 Majit, që sipas nurimeve paraprake bëhet fjalë për Partinë Demokratike.

Policia ka sekuestruar kartën e ID të personit të cilit i ishin premtuar shuma parash për votën, që mësohet se ka qenë 500 mijë lekë të vjetra.

“Nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë e Fierit, dyshohet se shtetasi M. L. i ka marrë një shtetasi, kartën e identitetit, si dhe i ka premtuar dhënien e një shume parash, dyshohet me qëllim blerjen e votës në favor të një subjekti politik, pjesëmarrës në zgjedhjet parlamentare të datës 11.05.2025”, – njofton policia.

Sipas burimeve në rrugë jo zyrtare, ka qenë vetë personi të cilit i ishin premtuar paratë që ka bërë kallëzimin në polici për Marin Lekën.

Burimet nga policia e Fierit bëjnë me dije se M.T., ka bërë kallëzim në polici për Marin Lekën pasi përveç premtimit për dhënien e lekëve i ka kërkuar edhe kartën e identitetit.

Dosja hetimore i kalon SPAK-ut në kuadër të task-forcës së ngritur nga Prokuroria e Posaçme për parandalimin dhe ndëshkimin e krimeve zgjedhore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë