Ka ndodhur

I përmbyset makina, aksidentohet turisti francez në Mat

Gazeta Si – Një turist francez është aksidentuar këtë të mërkurë, teksa ka qenë duke eksploruar një zonë të thellë në Mat.

Policia thotë se ai ka humbur kontrollin mbi automjet dhe për pasojë ka dalë nga rruga.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 12:30, në një rrugë rurale të fshatit Gjoçaj, njësia Administrative Derjan, Mat.

Mësohet se turisti është dëmtuar lehtë dhe po transportohet për një kontroll mjekësor në spitalin e Burrelit.

Banorë të fshati, të cilët mbërritën shpejt në vendin e ngjarjes thanë se 70-vjeçari ka pësuar dëmtime në shpatull.

Shumë shpejt është kërkuar transportimi me helikopter, por turisti pas një bisede me Ambasadën Franceze është shprehur se nuk është e domosdoshme dërgimi i mjetit fluturues.

Një ditë më parë, dy turistë gjermanë u rrëzuan në zonën mes Thethit dhe Valbonës, ku njëri prej tyre humbi jetën.

Disa orë pas alarmit, ata u gjetën në vendin e quajtur “Qafë Valbonë” nga një ekip i Urgjencës Kombëtare që ishte i përfshirë në operacionin e kërkim-shpëtimit me helikopter.

Viktima, një 30-vjeçar me inicialet D.J., ra në humnerë, ndërsa po ngjitej në një shkëmb të thepisur të mbuluar me borë.

Ndërsa e plagosura, 29-vjeçe, e identifikuar si M.S., arriti të mbijetojë dhe mësohet se u gjet në gjendje shoku.

Por bluzat e bardha që e shpëtuan, thanë se është jashtë rrezikut për jetën dhe për trajtim mjekësor u transportua me helikopter në spitalin e Bajram Currit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë