Nga Gazeta ‘Si’ – Hajredin Kuçi, ish-ministri i Drejtësisë së Kosovës, ishte emri ‘surprizë’ në listën e arrestimeve të Gjykatës Speciale.
Kuçi, i njohur ndryshe si ‘i përkëdheluri i Hashim Thaçit’ (atëbotë kur ky i fundit ishte kryeministër) prej më shumë se një dekade është shkëputur nga jeta politike në Kosovë.
Që prej momentit kur dha dorëheqjen në 2012-n, daljet e tij televizive kanë qenë jo fort të shpeshta. Sakaq, edhe lakimi i emrit të tij nëpër mediat e Kosovës, pos ndonjë veprimtarie akademike.
Por bastisja e shtëpisë dhe arrestimi i tij mëngjesin e sotëm e ktheu atë sërish në vëmendje të titujve dhe ngriti një sërë pikëpyetjesh lidhur me akuzat e mundshme ndaj tij.
Në një njoftim të thatë, Specialja lajmëroi se operacionet janë për hetime për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.
Megjithëkëtë, nga Kosova mendojnë se një arsye tjetër që fshihet pas arrestimit të Kuçit lidhet me Kadri Veselin, Ish-kryetarin e Parlamentit të Kosovës i cili akuzohet në Hagë për krime lufte.
Hajredin Kuçi, pjesë e mbrojtjes së Kadri Veselit
Në shkurt të 2022-shit, Kuçi u pa në dhomat e Hagës në fillimin e gjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Ishte avokati i Veselit, Ben Emmerson ai që konfirmoi se Kuçi ishte bërë pjesë e mbrojtjes ndaj tij.
Atëkohë, megjithatë përpos disa fotove të tij brenda sallës, nuk qarkulloi ndonjë deklaratë ose ndonjë zhvillim më shumë.
Prokurorët pretendojnë se Kadri Veseli ëshë fajtor për krime ndaj popullatës civile në Kosovë dhe Shqipëri, ndaj kundërshtarëve politikë, kundërshtarëve të ideve dhe metodave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe ndaj pjesëtarëve të ushtrisë, policisë dhe forcave të tjera serbe.
Veseli akuzohet për krime ndaj serbëve, shqiptarëve, romëve dhe të tjerëve, si “anëtar i ndërmarrjes kriminale të përbashkët” e kjo “me vetëdije dhe vullnet të lirë”, apo duke “inkurajuar krimet”.
Megjithatë, ndonjë dëshmi e mundshme e Kuçit, sipas burimeve në Kosovë mendohet të jetë shkak për arrestimin e tij.
Akuzat për aministi të krimeve të luftës
Ndërkohë, në fushën e drejtësisë ai nuk është përmendur për ndonjë implikim.
I vetmi debat i kohëve të fundit, ka ndodhur mes tij dhe ministres aktuale të drejtësisë Albulena Haxhiu, lidhur me një akuzë të saj ndaj tij për amnistim të krimeve të luftës.
“Juridikisht krimet e luftës nuk amnistohen, nuk parashkruhen, por politikisht ka pasur përpjekje serioze për t’i amnistuar krimet e luftës, prandaj Serbia është shfajësuar në kohën kur ju keni qeverisur. Ndërsa, për herë të parë Qeveria e Kosovës i trajton seriozisht”, deklaroi ajo në Kuvendin e Kosovës ndërsa lëshoi një audio-incizim ku sipas saj Kuçi fliste për amnistimin e krimeve të luftës.
Haxhiut i replikoi vetë Kuçi i cili tha se në Ligjin për Amnistim, i propozuar dhe miratuar në mandatin kur ai ishte ministër i Drejtësisë, janë përjashtuar amnistitë për krimet e luftës, vrasjes dhe korrupsionit.
“Nuk e paskam dëgjuar se në çfarë konteksti e paska nxjerrë një deklaratë të tillë, as në kuptim të intervistës së plotë, as të kohës, por në mandatin tim është propozuar dhe miratuar ligji për amnisti që ka përjashtuar amnistimin e krimeve të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe të drejtës ndërkombëtare.
Bile edhe krimet e vrasjeve dhe korrupsionit janë përjashtuar nga amnistimi. Dhe kjo vërtetohet lehtë në ligjet e miratuara në Kuvend të Kosovës. Mund ta shikoni edhe ligjin e amnistisë së miratuar në Kuvend”, deklaroi ai.
‘Krahu i djathtë i Hashim Thaçit’
Që në fillimet e tij në politikë, Kuçi është njohur si krahu i djathtë i Hashim Thaçit. Në një intervistë dhënë së fundmi, ai deklaroi se e ka ruajtur raportin me të tërë jetën.
“E kemi ruajtur raportin me të tërë jetën, edhe kur ka qenë në ilegalitet edhe në kohë të luftës dhe dua të them respekti njerëzor. Unë e kam një parim gjithmonë, shokët i kam pasur më të zotë se unë, më të mirë, më të vjetër edhe më moshë.
Por në anën tjetër, po e them, me ata që bashkëpunoj kam qejf me qenë më mik në fund të mandatit se në fillim”, deklaroi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.