Nga Gazeta ‘Si’- Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj i ka kërkuar një interpretim Komisionit të Venecias për vijimin e mandatit të saj në krye të GJK.
Në një njoftim për median në lidhje me deklarimin e përfundimit të mandatit të saj, Zaçaj argumenton se afati fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025. Ndryshe nga sa mendon Gjykata e Lartë e cila bazuar në vendimin për emërimin e Zaçajt në postin e Kryetares së Gjykatës Kushtetuese mandati i saj mbaron më 10 dhjetor 2024.
Kryetarja e gjykatës i bën apel çdo organi tjetër që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve.
“Dëshiroj të garantoj opinion publik se, në cilësinë time si Kryetare e Gjykatës Kushtetuese, do të ushtroj përgjegjësitë e mia për të vënë në lëvizje Gjykatën në përputhje me opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, ashtu si edhe kërkesa për amicus curiae, do të bëhet publik. Gjej rastin të sjell në vëmendje dhe të kërkoj nga çdo organ tjetër që të respektojë pavarësinë e gjyqtarëve kushtetues, si dhe të vetë Gjykatës Kushtetuese në ushtrimin e kompetencës për deklarimin e mbarimit të mandatit të këtyre gjyqtarëve”, u shpreh Zaçaj.
Holta Zaçaj u zgjodh në detyrë, duke zëvendësuar Vitore Tushën, por ajo në qëndrimin e saj thekson se data e përfundimit të mandatit, nuk duhet të jetë viti 2017.
Në deklaratën e saj, kryetarja e GJK, kërkon mendim nga Venecia për të interpretuar dispozitat e Kushtetutës, në mënyrë që raste të tilla të ngjashme të mos krijojnë ngërç në përbërjen dhe vendimarrjen e Gjykatës Kushtetuese.
“Duke qenë se, as dispozita kushtetuese, për rrjedhojë as vendimi i Gjykatës së Lartë për zgjedhjen në detyrë të gjyqtares kushtetuese, nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025.
Data e përfundimit të detyrës së gjyqtarit paraardhës, në rastet kur ai ka përfunduar mandatin e plotë, nuk referohet nga Kushtetuta apo ligji si një ngjarje juridike, e cila përcakton edhe përfundimin e mandatit të gjyqtarit pasues. Edhe në praktikën institucionale nuk rezulton të jetë zbatuar një rregull i tillë në përcaktimin e datës së përfundimit të ushtrimit të detyrës së gjyqtarëve kushtetues.
Për rrjedhojë, data 10 Mars 2017, që i referohet datës në të cilën gjyqtarja Vitore Tusha ka mbaruar detyrën e saj, nuk është përcaktuese për përfundimin e detyrës së znj. Holta Zaçaj si gjyqtare pasuese.
Pavarësisht sa më sipër, duke marrë parasysh rëndësinë e parimit të kohëzgjatjes së mandatit të gjyqtarit kushtetues, marrë shkas nga ky rast por edhe, eventualisht, për të paraprirë situata të ngjashme në të ardhmen, kam konsideruar t`i drejtohem menjëherë Komisionit të Venecias, si organ këshillimor, për marrjen e një opinioni amicus curiae në lidhje me interpretimin e afatit kushtetues të qëndrimit në detyrë të gjyqtarëve kushtetues në përgjithësi dhe, në veçanti, sipas parashikimeve të nenit 179, pika 3, të Kushtetutës”, shprehet Zaçaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.