Drejtësia

I përfshirë në tenderin korruptiv/ Tushe mohon akuzat, por Apeli e lë në burg

Ish-kryetarit të Bashkisë së Lushnjës, Fatos Tushe i është refuzuar kërkesa për liri këtë të mërkurë. Gjykata e Posaçme e Apelit kundër Krimit dhe Korrupsionit, nuk ka pranuar argumentet e Tushes, duke e lënë pas hekurave. Gjatë seancës gjyqësore, ai ka kërkuar një masë më të butë siguriepër shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Ish-kryebashkiaku ka mohuar të ketë pasur rol apo autoritet mbi dhënien e tenderit në Bashkinë e Lushnjës për të cilin akuzohet. Tushe ka mohuar lidhjen e Ibrahim Lamit me tenderin, emri i të cilit lakohet në përgjime si persoani që mori përsipër rehabilitimin e kanalit.

“Nuk kam pasur asnjë autoritet mbi tenderin, nuk kam qenë kryetar dhe ent prokurues, ka qenë Drejtoria e Punëve publike, s’ka qenë Bashkia e Lushnjës, – ka thënë ai. – Ibrahim Lamin e njoh, por s’ka lidhje me tenderin. Ndryshoni masën se s’ka dyshime të arsyeshme dhe për shkak të gjendjes shëndetësore shumë të rënduar që kam”.

Tushe i akuzuar nga SPAK për shpërdorim detyre ka apeluar vendimin e Shkallës së parë Anti-Korrupsion, e cila e la në burg, duke pranuar kërkesën e SPAK që e akuzon atë për shpërdorim detyre.

Ish-kryebashkiaku, pretendon se për të nuk ka prova që e përfshijnë në abuzimin me tenderin 240 milionë lekësh, për rehabilitimin e kanalit vaditës.

Gjithashtu me kërkesë për masë më të bute sigurie, Apelit i janë drejtuar edhe 10 vartësit e Tushes, të cilët u vunë në pranga rreth javë më parë, pasi SPAK ka ngritur ndaj tyre tre akuza, atë të “Falsifikimit të dokumenteve”, shpërdorimit të detyrës” dhe “abuzimit me tendera publike”.

Disa javë më parë policia hyri në ambientet e bashkisë duke ekzekutuar 11 urdhër arrestet SPAK, duke vënë në praga kryebashkiakun Tushe; Flamur Peqinin; Ibrahim Lamin; Bujar Muratin; Gazmend Çelën; Bektash Nexhën dhe Blerta Turkun. Gjithashtu u ndaluan edhe shtetasit, Margarita Gjermeni; Andri Musho; Ani Simoni, dhe Xhemal Haskon, ndaj të cilëve SPAK i kish kërkuar GJKKO-së, masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë