Drejtësia

I penduari Nuredin Dumani, tregon episodet kur korruptonte policët: Një oficer informonte Henrik Hoxhajn për një rival

Gazeta Si – Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë në dosjen “Plumbi i Artë”, ka dëshmuar sërish për procesin, duke treguar se si i korruptonte punonjësit e policisë, përfshirë dhe emrin e një oficeri që e informonte për lëvizzjen e një kundërshtari të një grupi tjetër kriminal.

Burime paraprake bëjnë me dije se Dumani ka treguar se korruptimi ka ndodhur në disa episode. Së pari, ai ka treguar se i jepte lekë punonjësit të policisë në kufi kur ai fuste armë zjarri nga kufiri.

Në dëshminë e gjatë në GJKKO, i penduari i drejtësisë është shprehur se disa herë e kanë ndaluar edhe punonjësit e patrullës për shkelje të ndryshme, por që ështe lënë i lirë duke i ofruar nga 50 mije lekë të vjetra.

Në një tjetër episod, Dumani ka treguar dhe bashëkpunimin me një punonjës policie, duke përmendur një emër në sallën e gjyqit.

I penduari tha emrin e oficerit me inicialet K.G., që sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë “njoftonte për lëvizjet e Otit, Elton Kilës”, Henrik Hoxhajn. “Ky i fundit më njoftonte mua për lëvizjet e shënjestrës”, mësohet se ka thënë Nuredin Dumani.

Dëshmia e tij më e fortë ka qenë ajo e 14 Janarit, ku teksa shpjegoi se pagoi 40 mijë euro për t’u liruar në vitin 2014 nga burgu pasi ishte arrestuar për pengmarrje, dëhsmoi se raportim mjeko-ligjor nga spitali e kishte lëshuar me ndihmën e dhëndrit të vëllait të ish-ministrit të Drejtësisë së asaj kohe, Nasip Naço.

Në cilësinë e të penduarit, si bashkëpunëtor i Prokurorisë së Posaçme, Dumani ka rrëfyer të paktën 12 vrasje dhe dhjetëra krime të tjera në një dekadë, si dhe porositë që merrte për ekzekutime, me pagesa deri në 200 mijë euro.

Prokuroria e Posaçme ka mbyllur në janarin e vitit 2024 hetimet për dosjen “Plumbi i Artë” dhe ka dërguar çështjen në gjykatë për 20 të pandehur.

Mes personave që do të gjykohen, janë Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Erion Alibej, Skerdi Tase dhe 16 të pandehur të tjerë.

Ata janë të dyshuar për një seri vrasjesh, atentate të mbetur në tentativë, apo vjedhje me dhunë, ngjarje të cilat u zbardhën pas dëshmisë së bashkëpunëtorit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit akuzohet si autor i 9 vrasjeve dhe tentativave për vrasje, si dhe tre raste të tjera të vjedhjeve me dhunë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë