Gazeta Si – Një debat mes dy të pandehurve në dosjen “Plumbi i Artë”, duket se ka rikthyer vrasjen ende të pazbardhur të ish-deputetit socialist Fatmir Xhindi në vitin 2009.
Në seancën e mbajtur në GJKKO këtë të martë, i penduari i drejtësisë, Skerdi Tase, iu përgjigj pyetjeve të avokatëve dhe të të pandehurve të dosjes.
Duke vënë në dyshim thëniet e tij, i pandehuri Petrit Qoli, pyeti Tasen nëse kishte probleme me sytë, a shikonte edhe afër edhe larg.

Pas refuzimit të pyetjes nga gjykata, Qoli kërkoi të dinte dijeninë e të penduarin mbi vrasjen e Fatmir Xhindit.
“Mos jeni ju personi që keni qëlluar ndaj deputetit Fatmir Xhindi? Sepse ju keni thënë që të gjithë personat i keni qëlluar kanë qenë në 5m distancë dhe Xhindi është vrarë nga kaq distancë? A shihni mirë nga sytë afër e larg, se unë psh nuk shoh as afër as larg dhe asnjëherë s’keni qëlluar në shenjë, si ka mundësi?”, – e ka pyetur Qoli-Tasen.
Gjykata nuk ndërpreu pyetjen e Qolit, ndërsa avokati i tij pretendoi se pyetjet e klientit ishin korrekte dhe se i penduari duhet të përgjigjej.
Reagimi i avokatit, hasi në tjetër kundërshtim të gjykatës, që nënvizoi se ngjarja e 16 viteve më parë nuk është përmendur ndonjëherë nga i penduari dhe as ishte pjesë e këtij procesi.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste në Fier, Fatmir Xhindi, u vra me armë zjarri në vitin 2009 pranë shtëpisë së tij në Roskovec një muaj para zgjedhjeve parlamentare dhe ende ngjarja është e pazbardhur nga drejtësia.
Edhe pas 16 vitesh, askush nga prokuroria nuk është në gjendje që të saktësojë një pistë për motivin e vrasjes së Fatmir Xhindit, ndonëse u ngritën disa.
Akuza do të shprehej se deputeti mund të ishte vrarë për shkak të detyrës, për një konflikt të vjetër në vitin 1997 dhe për shkak se ka influencuar në një vendim gjyqësor.
Fillimisht u dyshua se ai mund të ishte ekzekutuar për motive pronësie, por më pas kjo pistë u rrëzua. Një tjetër motiv mund të ishte influencimi i Xhindit për një proces gjyqësor.
Disa vite më parë, ish-shoferi personal i të ndjerit Fatmir Xhindi aksidentoi me makinë një fëmijë. Pas kësaj ngjarjeje, ai është arrestuar, por mendohet se me ndërhyrjen e deputetit Xhindi, u la përsëri i lirë.
Të nisur nga kjo situatë, grupi hetimor hodhi dyshime se ekzekutimi i deputetit Xhindi mund të jetë kryer në shenjë hakmarrjeje nga të afërmit e fëmijës, por as për këtë pistë, nuk është gjetur ndonjë provë bindëse.
Një nga pistat që ju mëshua më shumë është ajo për shkak të detyrës, gjë të cilën e beson edhe familja.
Ndërkaq, dosja për vrasjen e Fatmir Xhindit nuk u mbyll kurrë dhe nuk ka pasur afate për hetimet, sepse ngjarja ka mbetur pa autor. Dosjen e mori edhe Prokuroria e Krimeve të Rënda në atë kohë, por sërish nuk pati asnjë konkluzion.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



