Politike

I pandehur për korrupsion pasiv, Berisha mbron fondacionin ‘Fëmijët shqiptarë’ dhe sulmon prokurorët e SPAK: Monstra, mercenarë të Ramës

Gazeta Si - Tre ditë pasi SPAK e mori të pandehur për akuzën e korrupsionit pasiv për aferën e privatizimit të kompleksit "Partizani", ish-kryeministri Sali Berisha ka sulmuar prokurorët e SPAK dhe merr në mbrojtje fondacionin "Fëmijët shqiptarë" të drejtuar nga Liri Berisha, bashkëshortja e tij.

Në një konferencë për mediat, ish-kryeministri e quajti Edi Ramën, "padroni vrasës, përdhunues e hajdut", i kreut të SPAK, Altin Dumani, ndërsa edhe këtë të fundit e sulmoi si "hajdut" e "përbindësh".

Sipas tij, "për të zbatuar urdhrat politikë të Edi Ramës, jo vetëm paraqesin si krim virtytin e bamirësisë të dëshmuar në mënyrën më transaperente e ligjore, por prokurorët kanë vendosur në dosje të aktakuzës ndaj Sali Berishës emrat e fëmijëve autikë përfitues të bamirësisë", tha Berisha.

Berisha është shprehur se një ndër akuzat e ngritura ndaj tij është se është korruptuar nga dhëndri, Jamarbër dhe vajza e tij, Argita Malltezi në mënyrë të përvitshme, me pagesa që janë dhënë për fondacionin e Liri Berishës, “Fëmijët Shqiptarë”.

Në total sipas Berishës, vajza e tij Argita dhe dhëndri Jamarbër Malltezi kanë paguar në 12 vite rreth 118 mijë euro, të cilat sipas kreut të PD kanë shkuar për të kuruar fëmijët me spektër të autizmit.

"Dumani, Kraja dhe Millonai nxjerrin se Argita dhe Jamarbër Malltezi më paskan korruptuar mua dhe Liri Berishën, sepse në mënyrë të përvitshme kanë paguar me bankë në fondacion tarifën e trajtimit të fëmijëve autikë të disa familjeve që nuk e paguanin dot atë që nga viti 2010 gjer në vitin 2022, dhe në total ky çift ka kontribuar me rreth 118 mijë euro".

Duke mos i kursyer akuzat ndaj SPAK, Berisha tha se për arrestimin e tij janë të interesuar edhe diplomatë të huaj. "Të korruptuar janë diplomatët që kërkuan arrestimin e Sali Berishës. Publikisht e kanë bërë".

Ai paralajmëroi nisjen e protesta kundër qeverisë, por përsëri pa dhënë një datë konkrete. "Lëvizja do nisë në kohën më të parë të mundshme dhe do jetë një lëvizje e pandalshme në të cilën PD duhet të përmbushë misionin e saj, rikthimin e votës së lirë shqiptarëve".

Berisha nuk dha një përgjigje të qartë, nëse vajza e tij Argita Malltezi do të jetë në listat për kandidate për deputete në zgjedhjet e ardhshme.

"Atë nuk e vendos unë, e vendosë vetë ajo. Nëse dëshiron, primaret janë të hapura dhe nuk ka asnjë pengesë, por nuk e di a ka ndonjë ambicie apo jo".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë