Shendet

I nxehti përvëlues, shtim intensiv i virozave dhe Covid, mjekët: Kujdes me kondicionerin

Nga Gazeta Si- Prej 2 javësh Shqipëria gjendet në pushtetin e valës së të nxehtit afrikan, duke bërë që të regjistrohen temperatura nga 39-42 gradë.

Si pasojë e qëndrimit të gjatë në ambiente me ajër të kondicionuar, rastet me pneumoni janë shtuar ndjeshëm.

"Kam ditë me temperaturë të lartë dhe kollë. Unë qëndroj në shtëpi gjatë ditës, por virusin ma solli bashkëshorti që punon akoma".

Pacientja Z.C 65 vjeç ka rezultuar me Covid-19 pas testit të thjeshtë që bëri në qendrën shëndetësore pranë vendbanimit të saj.

Mjekja pneumologe në dispancerinë qendrore në Tiranë, Silvana Sadria, thotë për Gazetasi.al se nga ekzaminimet e skopisë apo grafitë e mushkërive, pjesa më e madhe e rasteve që paraqiten me pneumoni, rezultojnë të prekur nga Covid e më pak virozat e stinës.

"Rastet e rënda konsiderohen ata pacientë që u zgjat temperatura e lartë deri në 39 gradë, mbi 3-4 ditë si dhe inflamacioni në rrugët e laringut çka sjell ngjirje të zërit dhe në disa raste dhe kollë me sekrecione", thotë pneumologia Silvana Sadria.

Pacientët më të prekur nga virozat e Covid janë pothuajse të gjitha moshat.

Sipas Sadrisë, për shkak të fluksit të lartë të lëvizjeve dhe hyrje-daljeve brenda e jashtë vendit, Covid-19 po qarkullon intensivisht pa njohur ndalim.

 E bashkë me të dhe virozat, të cilat kur mbivendosen, sjellin për pasojë rëndim të gjendjes shëndetësore të pacientit.

"Më të rrezikuarit janë të moshuarit të cilët ndonëse nuk lëvizin nga shtëpia, janë të prirur të infektohen sepse ua sjellin virusin fëmijët apo nipërit.

Ne vijojmë të mos kemi kujdes e të shmangim personat e prekur nga Covid duke u bërë me dashje ose pa dashje infektues për familjarët", thotë mjekja pneumologe Silvana Sadria.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë