Sociale

I nxehti përvëlues, Mbrojtja Civile thirrje qytetarëve: Shmangni veprimtaritë që mund të shkaktojnë zjarre

Nga Gazeta Si - Në ditën më të nxehtë të qershorit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar si për shëndetin, por edhe për të evituar zjarrvënien.

“Duke marrë parasysh rritjen e temperaturave dhe rrezikun e lartë të zjarreve, bëjmë thirrje për kujdes të shtuar për të gjithë qytetarët në Shqipëri. Rreziku i lartë i zjarreve pritet të vazhdojë në rajon dhe Evropë gjatë javës së ardhshme. Të gjithë qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin veprimtaritë që mund të shkaktojnë zjarre”, thuhet në një njoftim të AKMC.

Situata në Rajon:

- Portugali: Dy zjarre të mëdha kanë djegur 167 ha në Castro Verde dhe 116 ha në Aljustrel. Të dy zjarret janë shuar me kapacitete kombëtare.

- Qipro: Një zjarr në Distriktin Nicosia ka djegur 240 ha pyje dhe toka bujqësore, dhe është shuar brenda 24 orësh.

- Greqi: Një zjarr i madh pranë Athinës kërcënoi banesat për shkak të erërave të forta. U evakuuan banorët e fshatit Kitsi dhe u angazhuan 145 zjarrfikës dhe 17 mjete ajrore. Aktualisht, një zjarr aktiv në Peloponez ka djegur rreth 500 ha bimësi.

Parashikimet për Fundjavën referuar Buletinit të Qendrës Evropiane për Koordinimin e Përgjigjeve Emergjente (ERCC):

- Italia Jugore, Greqia dhe Turqia Perëndimore dhe Qendrore:

Parashikohen vlera shumë të larta ose ekstreme të rrezikut të zjarreve me temperatura mbi 30°C dhe lagështi relative ditore nën 20%. Erërat e moderuara deri të forta dhe mungesa e reshjeve e përkeqësojnë situatën.

Ballkani Perëndimor dhe Hungaria: Kushtet e rrezikut të moderuar të zjarreve janë më të larta se mesatarja historike për këtë periudhë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë