Gazeta Si – Një aktivist i Partisë Demokratike, Luan Tollozhina, është arrestuar në Pogradec pas disa incidenteve, ku ai u bë protagonist në një qendër votimit, duke dhunuar komisionerin e Partisë Socialiste.
Personi i arrestuar u denoncua edhe nga bashkëshortja e komisionerit të majtë, e cila pretendon se ajo dhe i biri janë dhunuar nga nipërit e Tollozhinës, të cilët janë vënë në pranga.
“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë më parë, Strukturat e Posaçme për Hetimin e Krimeve Zgjedhore në DVP Korçë, në drejtimin e Prokurorisë së Korçë, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve ne zgjedhje” dhe “Goditjet për shkak të detyrës”, ndaj shtetasit L.T., 63 vjeç, banues në Pogradec. Arrestimi i tij u bë, pasi më datën 11.05.2025, rreth orës 10.30, ky shtetas ka hyre në QV Nr.3901 në Pogradec, dhe ka goditur duke i shkaktuar dëmtime fizike, shtetasin E.G 52 vjeç (me detyrë anëtar komisioni i forcës politike Partia Socialiste e Shqipërisë) në këtë qendër votimi”, njofton policia për prangosjen e Tollozhinës.
Por sipas policisë, pak më vonë, nipat e Tollozhinës, kanë shkuar në shtëpinë e komisionerit të majtë dhe kanë goditur bshkëshorten dhe djalin e 52-vjeçarit.
“Rreth orës 13:00, në Pogradec shtetasit R. T., dhe E. M., D. M., (nipërit e shtetasit të arrestuar L. T.), pas konfliktit të ndodhur në qendrën e votimit nr. 3901, kanë shkuar në banesën e shtetasit E. G., 52 vjeç, (komisioner i kësaj qendre votimi), dhe kanë goditur familjarët e 52-vjeçarit (bashkëshorten dhe djali). Djali i 52-vjeçarit po merr mjekim në spital jashtë rrezikut për jetën, ndërsa bashkëshortja e 52-vjeçarit ndodhet në ambientet e Komisariatit për të dhënë kallëzim. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe kapjen dhe shoqërimin e këtyre shtetasve”, – deklaron policia në një njoftim të dytë për këtë ngjarje.
Sipas policisë, Tollozhina e ka goditur komisionerin e PS për shkak se kryetarja e komisionit të kësaj qendre votimi, e bija e 63-vjeçarit, “ka pasur një debat me anëtarin e komisionit shtetasin E. G., në lidhje me votimin e personave me aftësi ndryshe, të moshuar etj, që të votojnë ose jo me shoqërues”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.